Aeroporti i Rinasit gumëzhin nga njerëzit në këtë fundvit! Shumë njerëz rikthehen pas një viti të vështirë pandemikë pranë familjeve të tyre, dhe të tjerë largohen jashtë vendit.
Shumë prej emigrantëve shprehen se në Shqipëri masat anticovid nuk zbatohen, në krahasim me vendet nga ata vijnë.
Sa i takon biletave, qytetarët shprehen se ato nuk janë rritur në krahasim me vitet e tjera, ndërkohë që shumica e tyre thotë se duan të kalojnë festat me familjen, dhe më pas do të lëizin shkurt në disa qytete.
“Jemi duke ikur në Bergamo, po shkojmë atje ku kemi vendin dhe punën, qëndruam në Shqipëri për Krishtlindje. Këtu në Shqipëri nuk na kërkuan asgjë, fluksi është më i vogël se atje. Shqipëria siç thonë ka më pak raste me virus.
Biletat janë shumë më të lira, jemi shumë të kënaqur, jeta për ne është atje, se unë jam afër pensionit tani. Nuk kam asnjë njeri në Shqipëri, se atje kemi dhë familjen, fisin, Shkodra është lënë pak pas dore, se janë demokratë ata.
Atje ku jemi ne nuk pyet njeri, ju urojmë vitin e ri edhe ju si televizion, Fax News, ju shohim atje ku jemi. Kur shohim mirë këtu, jemi të kënaqur dhe ne atje, se kemi kaluar gjysmën e jetës këtu”, shprehet një prej qytetarëve.
‘Nuk na kanë kërkuar asnjë masë për Zotin, po të shohin me maskë thotë çne ky?’, thotë një tjetër i ri.
Një tjetër emigrante ka ardhur nga Londra, dhe thotë se do të donte që të vizitonte Jugun e vendit, pavarësisht se nuk është verë.
“Na kërkuan vetëm vaksinat, të dyja dozat. Biletat kanë qenë më lirë në krahasim me vitet e tjera, por më shtrenjtë në krahasim me muajt e tjerë të vitit, uroj shëndet pasi ai është më i rëndësishmi në këto kohë që po kalojmë tani”, thotë një tjetër emigrante për Fax News.
Ka dhe të tjerë që largohen nga Shqipëria, pasi familjet i kanë jashtë.
(E.K/Faxweb.al)