Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka reaguar lidhur me lajmin për vetëvarjen e dy ditëve më parë të Klajdi Muçës në Kamëz, ish-i burgosur që kishte përfituar nga amnistia, që u tha se u vetëvar pasi nuk kishte mundësi të paguante faturën e energjisë prej 80 mijë lekësh të reja.
Ky reagim i OSHEE-së vjen pas dëshmive të të pranishmëve në zyrën e OSHEE-së ku debatoi Muça dhe akuzës të bërë së fundmi nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Dëshmitarët në zyrën e OSHEE-së në Kamëz kanë rrëfyer për një gazetë të përditshme fjalët e fundit të Muçës pas debatit “Ku kam mundësi unë të paguaj aq para? Veç të vras veten” dhe se si ai u largua duke përplasur derën për të shkuar në shtëpinë e tij.
“Sapo mora vesh që Klajdi kishte vrarë veten, e kuptova pse e kishte bërë. Ai e tha në sy të të gjithëve që do vriste veten. Madje, edhe arkëtarja i tha: “Nuk kam çfarë të bëj, vrit veten…”, ka rrëfyer një prej dëshmitarëve. Nuk vonoi edhe reagimi i Lulzim Bashës, i cili premtoi se “në qeverisjen e PD-së buka, uji dhe dritat do të jenë të garantuara për çdo familje. Qytetari nuk do të jetë më i harruar dhe i braktisur ne deshperim.”
Në sqarimin e saj për mediat, OSHEE sqaron se Klajdi Muça nuk kishte asnjë faturë prej 80 mijë lekësh të reja për të paguar, nuk i është ndërprerë energjia elektrike dhe nuk ka qenë në asnjë çast nën presionin e OSHEE-së.
Gjithashtu, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mohon që 31-vjeçari të ketë pasur debate me punonjësit lidhur me vlerë të faturës së dritave. Sipas OSHEE-së vlera që qarkullon nuk është aspak e vërtetë, por bëhet fjalë për konsumimin e muajit Janar, fatura e të cilit del në muajin pasardhës, Shkurt.
Reagimi i plotë i OSHEE-së:
Së pari gjejmë rastin t’i shprehim ngushëllime familjes së shtetasit Klajdi Muça për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
Për hir të transparencës ndaj opinionit publik dhe për të hedhur poshtë spekulimet fillimisht mediatike e më pas edhe politike, sqarojmë se abonenti Klajdi Muça kishte një kontratë me OSHEE-në, dhe nuk kishte asnjë faturë me vlerë 80 mijë lekë të reja!! (kjo duket qartë nga sistemi i pagesave, bashkëlidhur njoftimit)
- Muça ishte një ndër 450 mijë abonentët që kanë lidhur aktmarrëveshje (AKM) me OSHEE për pagesën e detyrimeve të prapambetura me këste.
- Ai ka lidhur AKM me OSHEE më 22 dhjetor 2016, pasi ishte debitor. Ka shlyer një këst, bashkë me faturën e muajit përkatës me vlerë 340 lekë, dhe sipas grafikut, kishte ende kohë të paguante këstin e radhës, prej 2800 lek në zbatim të marrëveshjes lehtësuese.
- Abonentit nuk i është prerë energjia elektrike dhe në asnjë rast nuk ka qenë nën presionin e OSHEE-së.
Muça është pritur nga specialistët teknik përkatës, dhe në asnjë rast nuk ka patur debate.
- Vlera e cituar në gazetë (80 mijë lekë të reja), nuk është aspak e vërtetë, por bëhet fjalë për konsumin e muajit janar, e cila nuk ka dalë ende si faturë, pasi paguhet në shkurt, dhe vlera e saj është 9 mijë lekë të reja. Edhe në këtë rast, abonenti kishte kohë në dispozicion për ta paguar.
- OSHEE kërkon të sqarojë, jo vetëm gazetën, opozitën, por edhe opinionin publik, se nuk është vlera 9 mijë lekë shkaku që shtyu të riun drejt vetëvrasjes, por problemet e tjera, për të cilat i takon organeve të hetimit të japin sqarime, bazuar mbi dëshminë e familjarëve!!
- OSHEE ndjen keqardhje për ngjarjen, dhe kjo fatkeqësi nuk duhet të përdoret politikisht nga opozita, apo të keqpërdoret nga media!!
(XH.A/SHUPLAKA)