Fermerët e Prespës në Greqi do të zhvillojnë një protestë në kufirin që lidh Shqipërinë me Greqinë, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve.
Mësohet se protesta do të zhvillohet në mesditë dhe ata do të dërgojnë edhe 70 traktorë duke u bërë shkak për ndërprerjen e çdo lëvizje të mjeteve nga Shqipëria drejt Greqisë në pikën kufitare të Kapshticës.
Burime për “TCH” janë shprehur se autoritetet doganore nuk janë vënë ende në dijeni për protestën e fermerëve pasi vendimi nga këshilli i tyre u mor dje në orët e vona të mbrëmjes.
Raportohet së fundmi se për shkak të kësaj proteste, dogana greke do të jetë jashtë shërbimit përgjatë orarit 11:00-14:00.
Kërkesa kryesore e fermerëve në këtë pikë doganore është arritja e vendosjes së një date për të takuar përfaqësuesit e tyre me kryeministrin Tsipras me qëllim negocimin për kërkesat kryesore të tyre, si: sistemi fiskal i tatimeve, sigurimet sociale dhe kostoja e prodhimit të produkteve bujqësore. (XH.A/SHUPLAKA)