Nga Elton Metaj*
Prej muajsh opinioni publik është munduar nga dilema nëse Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të hyjnë bashkë apo të ndara në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Si të mos mjaftonte kjo, ngjarjet e ditëve të fundit kanë shtuar edhe një dilemë tjetër: Si do të zgjidhet kriza politike, pas kërkesave të opozitës së instaluar në një çadër mes kryesisë së Kuvendit dhe selisë së qeverisë?
Për dilemën e parë, Partia Socialiste dhe Edi Rama e kanë shprehur publikisht dëshirën për t’u “martuar” edhe një herë me Lëvizjen.
Për dilemën e dytë, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha i kanë shpallur kushtet e tyre të forta për të ndërtuar një qeveri teknike.
Për të dyja kureshtjet apo përgjigjjet e pritshme, sytë drejtohen nga Ilir Meta. Politikani tashmë 48-vjeçar shihet nga një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik si i padeshifrueshëm. Nëse qëndrimi apo aksioni i tij politik perceptohet pikërisht si mundësia e zhbllokimit për dy tema shumë të nxehta, vetë Ilir Meta mund të ndihet i kënaqur dhe kjo gjendje e joshje publike mund t’i përkëdhelë sedrën personale dhe politike.
I mbështetur në votat që zotëron në Kuvend dhe në elektorat, themeluesit dhe drejtuesit të LSI-së mund t’i shijojë më tepër se kujtdo tjetër ta vazhdojë këtë “llastim”, duke marrë edhe sulmet apo ftesat bujare se ai duhet të flasë hapur për dy dilemat e mëdha. Por gjendja nuk është kjo. Ilir Meta ka folur. Ai ka folur në mënyrën e tij dhe për të dy dilemat ka dhënë përgjigje. Këtë nuk e ka bërë duke u shprehur si Edi Rama apo Lulzim Basha, të cilët ndodhen në pozita krejt të ndryshme. Prej disa vitesh, LSI dhe kryetari i saj kanë një gjatësi vale, gjuhë komunikimi dhe strategji politike, që mund t’i “acarojë” kolegët më të mëdhenj në politikë.
Së pari, lidhur me dilemën e koalicionit të ardhshëm zgjedhor, duke refuzuar të thotë prej muajsh një “po” ose “jo” publike ndaj ftesës së PS-së, Meta ka dhënë përgjigje. Atë përgjigje që në kalkulimet e tij politike është ndoshta edhe më e rëndësishmja.
Duke mos e “ndarë mendjen”, LSI ka kthyer përgjigje se dëshiron dhe respekton vetëm marrëveshje katërvjeçare për bashkëqeverisje, pavarësisht nëse bashkëqeverisësi i rradhës quhet Sali Berisha, Edi Rama apo nesër Lulzim Basha. Duke e bërë këtë për dy mandatet e fundit dhe me dy politikanë jo të lehtë, si Berisha dhe Rama në drejtim të qeverisë, Meta ka vendosur “rregullat e lojës”, që nuk mund të ndryshohen në mes të mandatit apo kur kërkon aleati tjetër në qeveri.
Këto “rregulla loje” frenojnë çdo drejtues qeverie që nuk ka 71 vota, të rishikojë marrëveshjet, në një moment të caktuar politik, kur ai mendon se ndihet më i fortë ndaj aleatit më të paktë në numër, por të domosdoshëm për të qeverisur. Kjo vijë sjelljeje apo ky kod komunikimi brenda një aleance qeverisëse është ndoshta edhe një mesazh i qartë për aleatin e pas 18 qershorit, cilido qoftë ai, nëse Rama apo Basha nuk sigurojnë të vetëm shumicën e votave në Kuvend.
Së dyti, lidhur me dilemën e krizës politike, pas kërkesave të opozitës, LSI është përgjigjur gjithashtu. Edhe vetë Meta, në një intervistë përballë Arian Çanit, e lidhi cilësinë e zgjedhjeve me vullnetin politik. Një klasifikim që qartëson se rregullimet teknike janë të pamjaftueshme të krijojnë premisa për zgjedhje të lira e të ndershme, nëse për 18 qershorin nuk ka vullnet politik. Për më tepër, vullneti politik merr peshë në sistemin aktual të administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, ku garuesit janë edhe organizatorë të garës. Partitë politike dërgojnë përfaqësuesit e tyre edhe për të mbledhur votues, edhe për të ngritur komisionet, edhe për të numëruar votat, edhe për të certifikuar rezultatet. Qartësisht, pa vullnet politik, çdo sistemim teknik, elektronik ose jo, nuk do të zgjidhte shumë nga problemet e zgjedhjeve të sëmurura shqiptare. Ndaj përgjigjja e Metës edhe për opozitën është aty. Gjithçka do të shkojë në një dialog politik, ndoshta të nivelit më të lartë, për të shprehur vullnetin për zgjedhje të lira e të ndershme. Vullnet, që duhet të ndiqet nga akte dhe ndërhyrje konkrete në infrastrukturën e lidhur me zgjedhjet. Nëse ky dialog politik do të prodhojë ose jo një zgjidhje që kënaq plotësisht artikulimet publike të opozitës, kjo mbetet një sfidë e ashpër për Ramën dhe Bashën në radhë të parë.
Së fundmi, prej momentit kur luftonte për një antar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në vitin 2006 dhe më pas kundër sistemit zgjedhor në vitin 2008, Ilir Meta i ka lënë pas aksionet e ashpra dhe emocionale, fizike dhe politike. Kërcimi mbi Ilir Rusmalin për të mbërritur i inatosur në foltoren e Jozefina Topallit, shoqëruar nga trehapëshi superatletik i Ndre Legisit, apo greva e urisë në “tempullin e demokracisë” përkrah Nard Ndokës, janë kujtime të largëta. Ndoshta, “zbori” i atëhershëm ka mundësuar që sot, Ilir Meta të përgjigjet edhe pa folur shkoqur, por duke folur dhe vepruar qartë. Në një kohë kur komunikimi zë gjithnjë e më tepër hapësirë dhe peshë, kjo ndoshta është zgjidhja më e mirë në strategjinë politike.
Për partinë politike që themeloi 13 vjet të shkuara, Ilir Meta e ka skicuar rrugën e ecjes, që duket se nuk lidhet me preferenca apo inate personale ndaj aleatëve besnikë apo tradhtarë. Berisha dhe Rama janë dëshmitarët më të mirë për këtë.