Kryeministri Rama nga Elbasani, ku inauguroi impiantin e përpunimit të mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë, u shpreh se sot e kishte nisur ditën shumë keq.
Rama u shpreh se sot kishte vizituar spitalin e Elbasanit dhe se ishte habitur nga situata që kishte parë aty.
“Sot e kemi filluar ditën shumë keq në Elbasan, sepse ishim në spital për të parë nga afër transformim të jashtëzakonshme që u jep mundësi të gjithë njerëzve që kanë nevojë për dializë, që ta bëjnë atë në kushtet njerëzore. Aty pashë i tmerruar situatën rreth spitalit, ku mësova që me një vendim gjykate spitalit dhe bashkisë së qytetit i ishin ndaluar ndërtimi i një muri rrethues sigurie, sepse gjykatësi kishte parë të udhës që të zgjidhte mes interesit publik, interesit të njerëzve. I dhashë urdhër që të fillojë shembja e ndërtimeve që mbajnë peng spitalin e Elbasanit. Gjykatësi që ka dhënë atë vendi do shkojë të përgjigjet para drejtësisë, pasi vettingu nuk vonohet. Ka ardhur koha që të bëhet drejtësi…”, tha Rama.
Më tej ai tregoi se kur në mbledhjet e qeverisë, ministri i Mjedisit, Lefter Koka i kishte treguar për impiantin që sot u përurua, ai ishte shprehur mosbesues por siç tha sot, Rama ishte mëse i kënaqur me rezultatin e arritur me impiantin që e quajti të rrallë në rajon.
“Kur ministri i Mjedisit në mbledhjet e qeverisë këmbëngulte për këtë projekt, unë mendoja se ajo çfarë më thuhej me atë çfarë do të shihja do të ishte shumë e ndryshme. Por kur e pashë sot jam falenderues ndaj të gjithëve që kanë kontribuar për këtë projekt,”- u shpreh Rama.(M.D/Shuplaka)