Situata në fshatin Çorrush të Mallakastrës paraqitet shumë e rëndë për shkak se flakët e zjarrit po rrezikojnë seriozisht jetën e 7 familjeve.
Lagjia “Asllanaj” është e rrethuar nga pyjet që kanë marrë flakë dhe banorët nuk largohen dot nga banesat e tyre. Vajza e një çifti në moshë, ka shkuar nga Vlora në këtë fshat për të marrë prindërit por nuk depërton dot për shkak të flakëve masive.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me televizionin News 24, vajza e familjes Dervishaj ndërsa raporton situatën shpërthen në lot. Me zë të dridhur ajo thotë se prindërit e saj po digjen brenda.
Pavarësisht se ajo thotë që ka lajmëruar Policinë e Shtetit dhe zjarrfikëset, askush nuk ka shkuar për t’ju ardhur në ndihmë
“Situata është shumë alarmante, kemi dy orë që e marr policinë e shtetit, zjarrfikëset, por askush nuk vjen. Ne u sosën nga Vlora por s’ju japim dot ndihmë. Nuk ka asnjë ndihmë nga shteti. Ku është shteti?! E gjithë lagjja është rrethuar nga flakët, po na digjen prindërit brenda (qan). Duhet ndihmë nga ajri se po digjen brenda, ju lutem”,- thotë vajza. (D.D/Shuplaka)