Pak minuta më parë, nisi mbledhja e përbashkët e Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, ku do të shqyrtohet kërkesa e Partisë Demokratike për ndryshimin e Kushtetutës për zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm dhe mbarimin e mandatit të Arta Markut.
Gjatë fjalës së tij në hapje të punës së komisionit, deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi tha se seanca e 18 dhjetorit, datë në të cilën u zgjodh edhe kryeprokurorja Arta Marku ishte një ndër situatat më të paprecedente.
“Koncepti i Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm është koncept që nuk e njeh Kushtetuta. Është një aberracion Kushtetues. Është më e rëndë se një shkelje. Kushtetuta parashikon Prokuror të Përgjithshëm me mandate 7-vjeçar.
Zgjedhja me një numër deputetësh, që nuk është as gjysma e deputetëve të Parlamentin, sjell situata të rënda si përshembull goditjen e drejtësisë.
Seanca e 18 dhjetorit ka paraqitur nje ndër situatat më të paprecedentë lidhur me kushtetutshmërinë e shtetit shqiptar. Një antikushtetutshmëri po çon në një antikushtetutshmëri tjetër. Ta vëmë në shina kushtetutese procesin e hetimeve penale. Te evitojmë që në të ardhmen e afërt jo të largët sistemi i prokurorisë të mos hyjë në një valë tërmetesh.
Propozimi ynë është të kthejmë Prokurorin e Përgjithshëm ne shinën kushtetuese. T’i ndërpresim mandatin prokurorit të zgjidhur në mënyrë antikushtetuese . Fillojmë një procedurë kushtetuese me vetting për të gjithë kandiatët.
Zgjedhim prokurorin e ri me shumicën e cilësuar prej 3/5. Sapo Këshilli i Lartë i Prokurorisë të ngrihet, të zgjedhim prokurorin e pergjithshem me mandat 7-vjecar.” – tha Bylykbashi.
Nga ana tjetër deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni, u shpreh se prokurori i përkohshëm u zgjodh në mënyrë kushtetuese.
“Prokurori sipas kërkesës së PD i bie të zgjidhet në fund të korrikut, ndërkohë që opozita flet për ngërç që nuk ekziston. Propozimi është një strategji për të penguar reformën në drejtësi.” – tha deputeti Hyseni.
(E.L/Faxweb)