7,956 divorce janë shënuar gjatë vitit 2017. Numri më i lartë i 5 viteve të fundit. Fenomeni ka marrë përmasa të frikshme, për aq kohë sa sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, referuar gjykatave, në 2107-n janë divorcuar 311 çifte më shumë se vitin paraardhës.
Kryeqyteti vazhdon të kryesojë listën me 1,897 raste divorcesh në 2017-n, pasuar nga Vlora, Elbasani, Fieri, Shkodra dhe Korça. Puka dhe Tropoja mbeten qytetet më konservatore të traditës familjare duke shënuar respektivisht, vetëm 40 dhe 44 raste.
Sipas psikologëve të gjykatave, shkaku më i madh që çon në prishjen e familjeve është emigracioni, me problemet e mëdha sociale që prodhon, kryesisht si pasojë e largimit të burrave. Në vendin e dytë është bixhozi. Kërkueset në këto raste janë gratë të cila duan të mbrojnë fëmijët dhe pronën nga lënia në kumar prej burrave. Kërkesat për divorce si pasojë e përfshirjes së burrave në varësinë nga lojërat e fatit, kanë ardhur duke u rritur, gjë që korrespondon edhe me shtrirjen e këtij fenomen në çdo qytet dhe fshat të vendit. Arsyet të tjera të divorcit, sipas statistikave janë edhe varfëria, tradhtia bashkëshortore, dhuna e alkooli.
Në vitin 2015, sipas statistikave të ministrisë së Drejtësisë, u vu re një trend uljeje i kërkesave për divorc, por në vitet pasardhëse ritmi ka qenë vetëm në rritje.
Vitin e kaluar tek paditë për çështje familjare, 103 ishin për mospagim të pensionit ushqimor nga njëri prej prindërve pas divorcit, 54 për njohje atësie dhe po aq për ç’njohjen e saj./Klan Plus