Është grabitur pak para mesnatës banesa e biznesmeni Nevruz Vila në Çiflig të Korçës. Autorët që dyshohet të kenë qenë 3 kanë hyrë në banesën e tij dhe kanë marrë prej aty rreth 1.6 milionë lekë të vjetra.
Sipas burimeve personat kanë qenë të veshur me uniforma policie, dhe të armatosur, ndërsa kanë lidhur dhe kane dhunuar çiftin e bashkëshortëve Nevruz dhe Sadete Vila që gjendej në banesë.
Në një rrëfim për gazetaren e Fax News Ledjona Xheladinaj, kryefamiljari Vila ka treguar tmerrin që kanë parë me sy, ai dhe bashkëshortja e tij. Ai tregon se iu ka dhënë grabitësve rreth 1 milionë e 600 mijë lekë të vjetra dhe një varëse floriri, vetëm e vetëm që të shmangte dhunimin e mëtejshëm.
Mësohet se autorët kanë helmuar fillimisht qenin që ishte në ambientet e jashtme të banesës dhe më pas kanë hyrë në brendësi të vilës së çiftit. Vila thotë se autorët e kanë gjuajtur tre herë me qytën e armës, ndërsa çifti ka qenë duke ngrënë darkë në momentin kur grabitësit kanë hyrë në banesë.
‘’Kam një gomisteri dhe servis, dhe një peshkarexhë në Durrës, edhe kisha rreth 1 milion e 600 mijë, nëpër xhepa dhe në portofol. Mirë që mu shkëput dhe një varëse floriri që kisha në qafë, se do më kishin prerë edhe qafën. Ne na lidhën, me duar, ishim duke ngrënë darkë, pastaj rreth gjysmë ore ndjenim zhurmë që ishin duke kontrolluar nëpër dhomat e tjera”, shprehet kryefamiljari Vila.
Autorët kanë kontrolluar për kasafortën e familjes, e cila ka qenë bosh. Kjo banesë ka rënë edhe dy vite më parë pre e një tjetër grabitje, po Vila tregon se asokohe ai nuk ka pasur para në banesë dhe autorët janë larguar me duart bosh. Dyshimet janë se ngjarjet të kenë lidhje me njëra-tjetrën dhe autorët të jenë të njëjtët.
3 autorët kanë përfituar nga errësira dhe janë larguar nga banesa, pa mundur dot të identifikohen.
Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga ana e policisë për këtë ngjarje, që ka tronditur të gjithë banorët e lagjes në Korçë.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post