Një vajzë 18-vjeçare në Tiranë kërkoi ndihmën e mediave për t’u mbrojtur nga abuzimet seksuale, që sipas saj, kryente i ati me të prej 3 vjetësh.
Ajo i tregoi programit Fiks Fare në televizionin Top Channel se si policia dhe prindërit e shtynë të tërhiqte denoncimin, ndërsa tani kërkon ndihmë nga mediat.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ilirian Agolli, e intervistoi vajzën denoncuese, e cila tha se policia nuk veproi për ta mbrojtur.
Vajza thotë se denoncoi dhunën disa muaj më parë në polici me ndihmën e një avokati, por pas një jave u detyrua ta tërheqë denoncimin për shkak të presioneve.
Mesazhe me presione, nga të afërm që e braktisnin asaj i vinin edhe gjatë intervistës së sotme.
“Unë kam vajtur në polici para disa muajsh dhe bëra një denoncim nëpërmjet një avokati në Tiranë. Denoncimin me avokat e bëra në Tiranë, sepse në qytetin ku jetoj jam fare e pambrojtur. Pasi bëmë denoncimin, një polic aty e mori babain në telefon dhe i tha që ka ardhur një dosje e zezë për ty, ndaj duhet të vish ta shikosh me patjetër. Babai shkon aty dhe i lexon të gjitha. Më merr në telefon dhe më thotë: Duhet të vish. Do të vij mamaja të të marrë”. Shkoj në polici dhe policia më kërcënon: Nëse nuk ka prova, ti do të arrestohesh, sepse akuzohesh për një denoncim të rremë. U detyrova ta tërheq denoncimin brenda një jave, sepse nuk kisha asnjë provë”, tha vajza denoncuese.
Vajza thotë që i kish marrë si kërcënime thëniet e policëve, se do të dënohej, nëse dëshimtë e saj nuk dilnin të vlefshme.
Ajo e tërhoqi denoncimin dhe u fejua më pas me një djalë, por përsëri babai i kërkonte favore seksuale, ndaj ajo bëri regjistrime të bisedave me të.
Vajza thotë se babai ka miq e shokë brenda radhëve të policisë, që e mbrojnë duke i treguar të dhëna sekrete nga denoncimet dhe hetimet. Ajo theksoi se pasi zhgënjye nga policia, mendoi t’u drejtohej mediave si një rrugë shpëtimi.
“Babai i mësoi të gjitha se kush e bëri denoncimin, me cilin numër u bë denoncimi, dhe me çfarë linje dhe profili Facebook-u u bë denoncimi. Këto të dhëna në shtete të tjera janë mjaft private, ndërsa në qytetin tonë dolën të gjitha” – tha vajza denoncuese.
Babai tashmë i arrestuar ishte në dijeni të çdo lëvizjeje të vajzës drejt kryeqytetit, madje edhe kur shkoi në televizionin Top Channel.
Vajza thotë se edhe më parë e kishte denoncuar babanë në polici si kultivues i bimëve narkotike, por doli shpejt nga qelia për ato.
Ndërsa pas denoncimit të abuzimit seksual, ai i thoshte vajzës që nuk kishte ku të shkonte tjetër dhe se në fund përsëri do të mbetej në dorë të tij.
Zëri dhe emri i saj janë fshehur për arsye sigurie.