Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shërbyer edhe si një arenë replikash mes Aleksandër Vuçiçit dhe Hashim Thaçit lidhur me situatën politike në Rajon si dhe marrëdhënieve mes dy shteteve ballkanike.
Së fundmi, Vuçiç ka deklaruar se Serbia si shtet anëtar i OKB-së, do të vijojë të bëjë gjithçka për të penguar Kosovën në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare përfshirë edhe në atë të OKB-së.
Presidenti serb ka theksuar se qendra e shqiptarëve nuk është as Prishtina dhe as Tirana por New York-u duke kujtuar edhe një detaj historik që sipas tij i ka kushtuar shtrenjtë vendit të tij.
“Qendra e forcës shqiptare nuk është në Prishtinë, as në Tiranë, por në Nju Jork. Lidhja e tretë e Prizrenit u formua në Nju Jork në 1946, dhe se na kushtoi shtrenjtë, sepse shuma të mëdha paratë u investuan nga Nju Jorku”, tha Vuçiç.
Kujtojmë se ditën e djeshme kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar një takim tre palësh mes tij, Vuçiçit dhe Zaev në kuadrin e strategjisë ballkanike për heqjen e kufijve mes shteteve duke ndjekur kështu modelin Europian.
Por vlen për të theksuar se është komentuar gjerësisht përjashtimi i Kosovës kënga ky takim që pritet të ndodh përgjatë muajit Tetor ku edhe do të nënshkruhet marrëveshja për “Shengenin ballkanik”, ku përveç Shqipërisë dhe Serbisë, përfshihet edhe Maqedonia e Veriut.
Kjo mbase edhe për faktin se Kosova dhe Mali i Zi e kanë kundërshtuar këtë projekt duke e konsideruar si një model të ngjashëm me atë të ish-Jugosllavisë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)