Rivaldo qorton Barcelonën. Braziliani që njeh ambientin katalanas si shumë pak të tjerë, sipas asaj që raporton “AS” drejton gishtin e tij si në drejtim të përgatitjes, ashtu edhe të menaxhimit të Messit.
Pastaj kërkon më shumë angazhim dhe përgjegjësi nga kampionët e tjerë të aftë për të bërë diferencën. Mesazhe shumë direkte edhe për Griezmann e Suarez.
“Kjo lloj përgatitje me udhëtime të gjata dhe ndryshime të vazhdueshme të orarit ka një kosto: shumë futbollistë të rëndësishëm janë jashtë formës, ose në infermeri. Gjithashtu nuk mund të abuzohet me mungesën e kohezionit mes gardës së vjetër dhe afrimeve të reja”, kritikoi Rivaldo.
“Messi nuk është i përjetshëm. Klubi duhet të tregohet i kujdesshëm, sepse Messi është tashmë 32 vjeç dhe luan gjithmonë në nivelin maksimal pa ndërprerje. Është normale që të fillojë të ndjejë shqetësime. Mendoja se nuk do të dëmtohej kurrë, por nuk është e vërtetë. Herët a vonë problemet mbërrijnë”.
“Prandaj Barcelona duhet ta lërë të rekuperohet plotësisht për të mos rrezikuar përsëritjen e dëmtimeve. Nuk ka rëndësi nëse duhet të qëndrojë jashtë për 2-3, apo një muaj. Nuk po them se kjo është një shenjë e përfundimit të karrierës së Messit. Do të rikthehet dhe do të qëndrojë edhe për disa vite në nivelet maksimale, por duhet menaxhuar”.
“Griezmann dhe Suarez duhet të jenë të aftë të bëjnë diferencën në ndeshjet e ardhshme. Ndonëse po flasim për futbollistë të mëdhenj, që të dy janë larg formës së tyre më të mirë”, konkludoi braziliani.