“Do hedh veten në erë përpara kryeministrisë, të dijë dhe bota se çafrë bëhet kështu”, këto janë fjalët e Sabri Vrionit, kryefamiljarit që banesa e tij është dëmtuar për shkak të tërmetit që ka rënë në datën 21 Shtator në Tiranë. Banesa e Vrionit ndodhet në zonën e Vorës, ndërsa Sabriu tregon për Fax News se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga ana e Bashkisë.
Kryefamiljari tregon se nuk është ndërmarrë asnjë hap për rindërtimin e banesës së tij, ndërsa përgjigja e vetme që ka marrë nga Bashkia e Vorës është “nuk na ka ardhur ende VKM-ja e Këshillit të Ministrave”. Sabri Vrioni ka telefonuar live dhe kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku, ndërsa përgjigja e tij ishte se do të mbërrinin në banesën e tij “që nesër”.
“Kanë ardhur që kanë bërë matjet, dhe e kanë cilësuar të pabanueshme, dhe na thanë që të mos bëjmë gabim që të futemi brenda, kam shkëputur korentin, dhe rrimë këtu jashtë. Gatuajmë me bombul gazi. Vetëm në darkë na jep një llampë komshiu, sa bëjnë detyrat fëmijët.
Para tërmetit shtëpia ishte jo e mirë, por e banueshme, ne jetojmë me 48 mijë lekë në muaj asistencë, kaq të ardhura kam”, shprehet Vrioni.
Më tej ai tregon dhe për gjendjen e vështirë shëndetësore të gruas së tij, e cila e ka të pamundur që të punojë, pavarësisht përpjekjeve që ajo ka bërë.
“Nuk kam të ardhura, jam me probleme shëndetësore, ka punuar ime shoqe, por dhe kthehet e sëmurë në shtëpi, se vuan nga tensioni i ulët, unë vetë jam me diabet”, tregon Vrioni.
Ca më tej kryefamiljari shprehet se e vetmja zgjidhje që ka marrë nga Bashkia, është të shpërngulen që të jetojnë në një sallë dominosh, po atje nuk pranojnë që të shkojnë vajzat pasi nuk ka tualet.
Ironia e fatit e do që Vrioni dhe familja e tij të jenë të persekutuar dhe ish-pronarë të vjetër të tokave, mirëpo tashmë Baraka e tij vetëm banesë nuk mund të quhet.
(E.K/Faxweb.al)