Ilir Panda ka qenë kandidati i tretë që ka dalë sot përpara KLGJ-së dhe që kërkon të jetë pjesë e Gjykatës së Lartë në vend.
Panda është shprehur, se njësoj si kandidatët e tjerë, një nga problemet më të mëdha me të cilin do të përballet Gjykata e Lartë, do të jetë pikërisht numri mjaft i madh i dosjeve që janë stok.
“Karriera ime ka filluar në hetimin e veprave penale dhe pastaj në Ministri të Drejtësisë në administratë publike. Gjatë gjithë kësaj kohe aktiviteti im është shoqëruar në disa punë shkencore dhe aktualisht vij nga jeta universitare, në një universitet privat.
Mendoj se eksperiencat që kam në fusha të ndryshme ku kam punuar, do jenë ndihmuese edhe në aktivitetit gjyqësor. Kandidoj pasi është më afër interesit publik dhe lidhet ngushtë me të drejtat e njeriut. Objektivat janë të përgjithshme dhe të përveçme, vlerat, standardet dhe rregullat e etikës profesionale.
Gjykata e Lartë ka eksperiencë të mëparshme të sigurtë për të çuar më para punën për zhvillimin e aktivitetit gjyqësor. Objektiv për një gjyqtar të Supremes është ajo zgjidhja e problemit pasi ka një numër shumë të madh të dosjeve të mbledhura në Gjykatë të Lartë.
Me profesionalizëm puna duhet të filloj, ndërsa rrugët për t’i zgjidhur duhet të shikohen. Në objektiv janë edhe marrëdhëniet me Këshillin e Lartë Gjyqësor, në marrëdhënie profesionale e institucionale.
Eksperienca në mësimdhënie, puna në Ministrinë e Drejtësisë, puna në grup e më gjerë. Element janë disa veprimtari që janë pjesëmarrja në bordin e akreditimit të arsimit të lartë, dhe pjesëmarrja si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Roli i parë i GJL është roli që i jep Kushtetuta si dhe roli që i jep praktikës gjyqësore. Duhet të jetë bindëse dhe detyruese për gjykatat më të ulta dhe për vetë palët në procese.
Stoku i dosjeve është diçka që i shqetëson të gjithë. E kam studiuar dhe për mua një kontribut i GJL është për të vënë në funksion gjithçka. Fillimisht duhet filluar me emergjencat gjyqësore, më pas ndarje të çështjeve, përmes ndihmësve ligjor, të cilët me këtë angazhim mund të bëjnë riorganizim duke e bërë punën në një mënyrë të tillë.
Njeriu gjithë jetën ka plot dilema, ndërsa unë prirem të mos e lë veten deri aty por nuk i kam shpëtuar. Kam patur disa dhe një ndër to ishte zgjedhja midis sektorit publik dhe atij privat. Zgjidhja që bëra ishte e suksesshme. Dilemë tjetër ka qenë të ikja jashtë vendit apo të qendroja në Shqipëri. Duke qenë para jush besoj se e tregon se cilën rrugë kam zgjedhur”, është shprehur Panda në fjalën e tij në KLGJ.