Pas mbledhjes në selinë e Partisë Demokratike me aleatët opozitar, Monika Kryemadhi ka dalë në një deklaratë për mediat ku edhe është pyetur nga gazetarët.
Njëri prej tyre e pyeti se a ka në plan opozita e bashkuar që në ditët në vijim të zhvillojë protesta. Ndërsa kryetarja e LSI-së i është përgjigjur se kjo është një pyetje që e bën Edi Rama duke shtuar më tej se protesta ka çdo ditë në gjithë Shqipërinë.
Kryemadhi: Top Channel keni vetëm hallin e protestave, kjo është një pyetje që e bën Edi Rama. Por unë them se pari të protestojnë gazetarët që të mos marrin presion dhe ti binden axhendës qytetare. Sot Top Channel e dha protestën e fermerëve në Lushnje?
Gazetari: E dha!
Kryemadhi: Jo vetëm një ditë, duhet ta jepni çdo ditë. Protestat po zhvillohen çdo ditë, nga fermerët që hedhin prodhimet e tyre. Ajo që është akoma më e rëndësishme është t’ju themi shqiptarëve të vërtetën. Protestat nuk janë me axhendë por me organizim. Protesta ka për të pasur pafundësisht dhe në forma të ndryshme. Keni protestën e përditshme në Unazën e Re, po e njëjta histori me statusin e naftëtarëve me statusin e minatorëve dhe mësuesit. Ka një zgjidhje, të largohet Edi Rama dhe të krijohet mundësia për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
(F.GJ/FAXWEB.AL)