Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka qenë një nga socialistët që ka komentuar përgjimet e Bild, ku tha se kjo është një çështje që duhet të hetohet deri në fund nga Prokuroria. Sipas Braçes në përgjime nuk flitet për dhënie parash.
Braçe i pyetur nga gazetarët pranoi se nuk është normale që Damian Gjiknuri të çojë furgonë me djem problematikë në Dibër, po shtoi se kjo ka ndodhur dhe nga pala tjetër.
“Jo nuk është normale, nga ana tjetër ju iu duket normale ajo që ka bërë ish-ministri i brendshëm. Nëse është e vërtetë ajo e djemve problematikë të hetohet”, u shpreh Braçe.
“Përgjimet i kam dëgjuar edhe unë. Këto janë përgjime partiake që ata me pistoletë në dorë kanë kërcënuar njerëz. Kanë goditur edhe makinën e policisë së shtetit. Mbi të gjitha është prokuroria që duhet të vërtetojë vërtëtsinë e tij. Unë nuk jam akoma socialist i vjetër.
Ndreu nuk thotë që secili mësues në qarkun e Dibrës nëse nuk votojnë në PS do te fluturojnë nga puna. Ai ka folur me një drejtues të PS-së. Sipas ligjit drejtuesit e shkollave nuk janë të ndaluar të merren me aktivitetin politik. Përgjime për çfarë?
Kush ka folur për përgjime? Në asnjë prej përgjimeve të publikuara, në gojën e Vangjush Dakos, nuk flitet në asnjë germë për ofrim të parave. Në rast se identifikohen raste të tilla të blerjes së votave, duhet të mbajë përgjegjësi. Ata kanë blerë vota, kanë kërcënuar me armë”, u shpreh Braçe.
I pyetur nga gazetarja e Fax News Ambrozia Meta: “A ka të drejtë kreu i bandës së Shijakut të kërkojë listat e të punësuarve dhe njëkohësisht të ketë marrëdhënie të afërta me kryetarin e Bashkisë së Durrësit?”
Braçe u shpreh: Zotëria që ju flisni nuk pyet me kreun e Bashkisë së Durrësit për çështje parash, insistoj shumë fort që prokuroria të përfshijë sa më shumë episode në hetimet e saj.