Humoristi Agron Llakaj ka reaguar gjithashtu lidhur me dekorimet e dy ditëve më parë nga Kreu i Lartë i shtetit, ku 32 artistë u vlerësuan me “Mjeshtër i Madh” apo “Nder i Kombit”.
Ai i tërheq vëmendjen Nishanit për humoristin Behar Mera, i cili është një Mjeshtër i Madh, nga i cili nuk ka njeri që të mos ketë marrë buzëqeshje dhe që e ka fituar lojën me interpretimet e tij.
Në fund të shkrimit të tij, Agron Llakaj i drejtohet kreut të Lartë të Shtetit me fjalët se është në pritje të korrigjimit të kësaj “harrese”.
Reagimi i Agron Llakajt:
Shkëlqesi Bujar Nishani! Lexova me kënaqësi vlerësimin Tuaj në largim, për shume emra të mëdhenj të skenës, ekranit por jo vetëm. Tituj që shprehin vlerësimin për punën e çdo kujt, kontributin dhe investimin njerëzor dhe profesional në shërbim të publikut, për ta bërë këtë jetë të zymtë me më shumë besim, se gjërat e bukura në jetë nuk ndodhen vetëm në art. Art i cili udhëheq shoqërinë, emancipon, edukon dhe argëton.
Zoti President, ndoshta nuk është detyra Juaj, por në respekt të shumë e shumë emrave të vlerësuar nga Ju… ,me lejoni t’ju tërheq vëmendjen për një emër shumë të njohur në vite e vite në Shqipëri dhe kudo ku punojnë shqiptarë, anë e mbanë botës. Ai është humoristi Behar Mera…,me dhjetëra vite në skenë, qindra personazhe dhe karaktere që sot i keni dhe i gjeni rëndomë në youtube me shumë e shumë klikime.
Një personalitet i padiskutueshëm i humorit, një partner po kaq dinjitoz…, nuk ka njeri të mos ketë marr buzëqeshjen dhe të qeshurën nga loja e Behar Merës. Prej 5 vite në Al Pazar shoë, ka prodhuar dhe punuar sa për 100 vite së bashku të një trupe profesioniste estrade.
Zoti President, si artist i humorit, por edhe si partner dhe mik i Behar Merës….ju sjell thjesht në vëmendje, vlerësimi për Beharin është vlerësim edhe për Ju! Natyrisht, Ai është Mjeshtër i Madh, se e ka fituar me lojën dhe interpretimet e tij, ka dashurinë e publikut që është rritur dhe e ka rritur gjatë gjithë karrierës së tij
Zoti President, duke ju uruar punë të mbarë, por edhe rrugë të mbarë, mbetem në pritje të korrigjimit të kësaj ‘harrese’.
Me respekt dhe konsiderate te larte!Agron Llakaj”.