Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi marrjen e një mandati të dytë qeverisës, ndërsa foli edhe për rritjen ekonomike. “Vijimi i reformave në mandatin e dytë të qeverisjes nga Partia Socialiste do të çojë në një rritje ekonomike prej 5.5 % në fund të vitit 2021”, tha ai.
“Bazë, për këtë rritje ekonomike mesatarisht 4.5 % në katër vitet e ardhshme, është rritja ekonomike prej 3.46 % në fund të vitit 2016, si dhe vijimi i reformave si ajo në drejtësi. Dua të theksoj se rritja ekonomike prej 3.46% është shumë, krahasuar me çka e nisëm, e katërfishuam rritjen ekonomike, ndërkohë që e gjetëm të falimentuar me pamundësi për të paguar detyrimet. Sot buxheti i shtetit del me sufiçit primar dhe ka filluar ulja e borxhit dhe do të vijojë drejt 45 % në fund të mandatit tonë të dytë”, deklaroi ai.
Sipas tij, reforma në drejtësi është kyçe dhe ata që e pengojnë zbatimin e saj, pengojnë rritjen e mirëqenies e punësimin e qytetarëve.
“Ajo që ndodh te çadra sërish e dëmton imazhin e besimin e aktorëve ekonomike të ekonomia, cënon rritjen ekonomike, mirëqënien e punësimin. Qarku i Dibrës do të ketë një nga kantierët më të mëdhenj shumë shpejt”, siguroi ministri Ahmetaj. Ministri foli po ashtu edhe për rritjen e pagës minimale. Sipas tij, brenda dy javëve do të ketë një vendim, por tha ai, rritja nuk do të jetë 27 mijë lekë sa ç’është kërkuar. “Do të ketë një rritje, jo për efekt të kontributit por është e lidhur me konkurueshmërinë në rajon dhe produktivitetin e forcës së punës”, tha ministri.
Ahmetaj tha një lajm të mirë për të gjithë fermerërt, pasi tha që do iu falen gjobat e viteve 2011-2016-të. (J.V/Shuplaka)