Nga Shaban Murati
Kur politika shqiptare e ka kthyer Shqipërinë në një shtëpi, që i ka rënë zjarri, fqinjët tanë jo vetëm po ngrohen tek ky zjarr, por po presin që t’i bien muret dhe t’i prishen kufijtë shtëpisë së Shqipërisë dhe ata të përfitojnë të marrin përsëri ndonjë copë si në 1913. Kjo është strategjia e re greke në krizën tonë të re, për të përfituar nga viti i mbrapshtë në Shqipëri, nga politika e mbrapshtë dhe nga populli i mbrapshtë.
Publikisht doli ministri i jashtëm i Greqisë, Giorgos Katrougalos, në 24 qershor dhe kërkoi “vetëvendosje” për minoritetin grek në Shqipëri,që praktikisht është jetësimi i projektit famëkeq të “Vorio Epirit”.
Në faqen zyrtare të MPJ të Greqisë lexoni deklaratën e tij në 24 qershor: “Përsa i takon mbrojtjes së të drejtave të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri është hera e parë që në vendimin e Këshillit të Çeshtjeve Europiane (të BE) është vendosur njëlidhje e qartë midis perspektivës europiane të Shqipërisë dhe respektit për të drejtën e vetëvendosjes, (self-determination), për minoritetin”.
Ministri i jashtëm i Greqisë jo vetëm që e shpall vetëvendosjen e minoritetit grek si kusht të votës greke për Shqipërinë në BE, por edhe e paraqet sikur ky kusht i ri për herë të parë në histori është bërë vendim i mbledhjes së ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian më 18 qershor. Natyrisht do të ishtetronditëse, nëse BE do të bënte një hap të tillë të paimagjinueshëm.
Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Kemi të bëjmë me një spekullim diplomatik,politik, juridik dhe linguistik të ministrit të jashtëm grek, që tenton ta servirë me etiketë europiane strategjinë e re të Greqisë për t’i imponuar Shqipërisë vetëvendosjen e minoritetit grek, pra vënien në jetë të “Protokollit” të vdekur të Korfuzit të vitit 1914.
Së pari, për të sqaruar lexuesin dhe për t’i dalë përpara konfuzionit, që mund të duan të krijojnë idiotët e dobishëm të Greqisë në Tiranë, po sjellim përkufizimin e termit“self-determination”, sipas Fjalorit të avancuar të anglishtes të Oksfordit, botimi i pestë, 1995, fq.1066: “self-determination është e drejta e një kombi, vendi, etj.për të vendosur çfarë forme qeverisje do të ketë ose nëse do të jetë i pavarur nga një shtet tjetër ose jo”.
Së dyti, po theksojmë se nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe e ligjit ndërkombëtar, dhe siç është sanksionuar në dokumentet themelore ndërkombëtare që nga Karta e OKB e deri tek Karta e Helsinkit, (të nënshkruara edhe nga Greqia), e drejta e vetëvendosjes u njihet vetëm popujve dhe jo minoriteteve. Kriza shqiptare ia rriti oreksin territorial Athinës dhe doli me kërkesën për vetëvendosje të minoritetit grek në Shqipëri, i cili sipas regjistrimit zyrtar të vitit 2011 ështëgjithë-gjithë 24,242 vetë.
Ministri i jashtëm i Greqisë, i cili është edhe jurist dhe për më tepër e paraqet veten në biografinë e tij zyrtare edhe si hartues i Kushtetutës së Shqipërisë të vitit 1998, e din fare mirë që e drejta e vetëvendosjes është e drejtë vetëm e popujve. Ai harron se precedenti, që ai tenton të krijojë me Shqipërinë, mund ta shtyjë Turqinë të kërkojë vetëvendosje për minoritetin kombëtar turk në Greqi, i cili është gjashtë herë më i madh në numur se minoriteti grek në Shqipëri.
Mirëpo ministri e din se ka përballë një shtet me një politikë të jashtme servile ndaj Athinës gjatë 30 viteve, një shtet që instiktin e vetëmbrojtjes shtetërore dhe kombëtare e ka në nivelin me të ulët ballkanik. Ndaj ministri i jashtëm grek i lejon vetes një spekullim të palejueshëm për nivelin e lartë zyrtar të postit të tij. Ai e degradon diskursin deri në atë shkallë, sa që pretendon të paqenën, se gjoja vetëvendosjen e minoritetit grek në Shqipëri për herë të parë e paska bërë vendim mbledhjae ministrave të jashtëm të BE në 18 qershor 2019,madje jep si referecë konkluzionet e kësaj mbledhjeje.
Jo vetëm nje diplomat, por edhe një lexues i thjeshtë e ka të lehtë të futet në faqen e BE dhe të lexojë tekstin e plotë të konkluzioneve të Këshillit Europian të Çeshtjeve të Përgjithëshme të 18 qershorit 2019 , i cili nuk e përmend në asnjë rresht të komunikatës fjalën “vetëvendosje”, pa le më ta përmendë si një e drejtë e minoritetit grek në Shqipëri.
Në pikën 5 të komunikatës, që u drejtohet të gjitha shteteve kandidate, që kanë hapur ose nuk kanë hapur ende bisedimet e pranimit, si dhe atyre të Procesit të Stabilizim-Asocimit, thuhet tekstualisht: “Duke rritur përpjekjet në lidhje me mbrojtjen e të drejtave fundamentale, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve, zbatimi i angazhimeve të marra në lidhje me vetë-identifikimin (self-identification) e lirë dhe objektiv, trajtimin jo diskriminues të minoriteteve kombëtare…”
Pra komunikata e Këshillit Europian flet për vetë-identifikim objektiv dhe të lirë të personave, që u përkasin minoriteteve, dhe aspak për vetëvendosje të minoriteteve.Midis dy përkufizimeve ka një oqean të tërë juridik, linguistik dhe logjik. Por ministri i jashtëm i Greqisë i jep vetes luksin të deklarojë një deformim të madh të përmbajtjes së komunikatës, ku është vetë njëri nga firmosësit. Në pikën 39 të Konkluzioneve të Këshillit Europian kushtuar Shqipërisë nuk përmendet fare minoriteti grek.
Përse konstitucionalisti i Kushtetutës shqiptare dhe shef i diplomacisë greke i lejon vetes një deformim të pahijshëm të së vërtetës? Ka disa arsye:
Së pari, ai e din se disa zyrtarë shqiptarë nuk do ta lodhin veten të lexojnë konkluzionet e Këshillit Europian të Çeshtjeve të Përgjithëshme për vetë-identifikimin dhe do ta besojnë variantin e shtrembëruar, që u servir ministri i jashtëm grek.
Së dyti, ministri i jashtëm grek e din se në MPJ të Shqipërisë ka një lob tradicional dhe të fuqishm grek, i cili disa herë ka arritur edhe nivelin e ministrave të jashtëm dhe që bën presion për pranimin çdo pretendimi grek, duke fryrë gogolin e vetos greke për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Së treti, përvoja e marrëdhënieve dypalëshe të periudhës postkomuniste i mësoi diplomacisë greke se instikti vetëmbrojtës i shtetit dhe i kombit shqiptar ka rënë në nivelet minimale ballkanike dhe Shqipërisë mund t’i diktosh dhe t’i marrësh gjithshka, nga deti e deri tek territori. I mësoi se zyrtarët shqiptarë mund t’i gënjesh lehtë me ahengje rome-ballkanike në rrugë.
Pas suksesit të diplomacisë greke, që i imponoi diplomacisë dhe qeverisë shqiptare në vitin 2018 rinegocimin e marrëveshjes së zezë të detit të vitit 2009 për kufijt detarë të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të 15 prillt 2010 që e rrëzoi atë marrëveshje, Greqia u inkurajua të nxjerrë nga varri fantazmat e “Vorio Epirit” me pretendimin për autonomi.
Që në vitin 2015 gjatë punës sime në Ministrinë e Jashtme kam paralajmëruar zyrtarisht autoritetet shqiptare për “precedentin e rrezikshëm të përpjekjeve të Greqisë për rivalorizimin e marrëveshjeve të rrezikshme të zhvleftësuara në historinë e marrëdhënieve dypalëshe si i ashtuquajturi “Protokoll i Korfuzit” i vitit 1914, i cili nuk u ratifikua kurrë as nga Parlamenti i Shqipërisë dhe as nga qeveria e Kryeministrit Turhan Pasha në kohën e mbretërisë si Princ Vidit dhe as nga Parlamenti i Greqisë”.( Libri “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”, Tiranë, 2018, fq.195).
Diplomacia dhe institucionet e specializuara greke kanë bërë disa hapa si balona prove për të testuar mekanizmat mbrojtës të sovranitetit shqiptar dhe provuan se sistemi ynë i alarmit kombëtar nuk punon. Shqipëria lejoi që në mbledhjet e organizmave të OSBE, ku është anëtare dhe paguan kuotizacion, në shtator 2017 të merrnin pjesë mercenarë të organizatave terroriste greke të krijuara nga shërbimi i fshehtë grek, të cilët kërkonin zbatimin e “Protokollit të Korfuzit” të vitit 1914. Shqipëria ka lejuar mercenarët e të ashtuquajturit “Vorio Epir” të organizojnë aktivitete separatiste në territorin shqiptar. Shqipëria ka lejuar glorifikimin e shqytarëve të“Vorio Epirit”, të cilëve u janë ngritur edhe memoriale në territorin shqiptar, për të dëshmuar mosekzistencen e shtetit shqiptar.
Në një shkapërderdhje të tillë të shtetit shqiptar, Greqia hodhi hapin e ri të madh zyrtar dhe po paraqet si kusht të votës së saj në BE “vetëvendosjen” e minoritetit grek ose thjesht ringjalljen e “Protokollit” të vdekur dhe të pavlefshëm të Korfuzit.
Ministria e Jashtme e Greqisë në një deklaratë të saj të posaçme në 31 maj 2019 deklaroi se “Greqia pret mbrojtjen e plotë të së drejtës së minoritetit grek për vetëvendosje në të gjithë territorin e Shqipërisë”. Është një pretendim kolonial dhe një arrogancë e paparë, që rivendikon ekskluzivitetin e minoritetit grek që të qeverisë në mënyrë autonome në të gjithë Shqipërinë.
Deklarata e mësipërme zbuloi një element drithërues të diplomacisë së fshehtë shqiptaro-greke, kur bën të ditur se në maj të vitit 2018 Shqipëria ka marrë angazhim ta zbatojë këtë të drejtë të minoritetit grek. Nuk i bëri përshtypje askujt ky rrëfim i diplomacisë greke për bashkëfajësinë e diplomacisë shqiptare.
Zëvëndësministrja greke e rendit, Katerina Papakosta, në 10 nëntor 2018 shkoi edhe më tej, duke pretenduar jo vetëm autonomi, por edhe pavarësi për minoritetin grek: “Ashtu siç ka kerkuar Shqipëria për shqiptarët jashtë vendit autonominë apo edhe pavarësinë, duhet t’i japë minoritetit grek të gjitha të drejtat që i takojnë”. Asnjë llambë nuk u ndez në trurin e zyrave shtetërore.
Jemi para një rreziku ekzistencial të copëtimit të Shqipërisë, sepse fantazma e autonomisë apo e vetëvendosjes së“Vorio Epirit”si plan i ri i diplomacisë greke synon ta federalizojë dhe ta coptojë Shqipërinë. Ndërsa zyrtarët e lartë të Shqipërisë hargalisen çdo ditë nëpër fjalime me Haxhi Qamilin, jo rastësisht nuk e përmendin kurrë një tradhëtar të madh shqiptar nga Gjirokastra si Jorgo Zografi, kryeministri i të ashtuquajturës “qeveri të Vorio Epirit” dhe babai i “Protokollit të Korfuzit” në 1914, i cili me repartet ushtarake greke dhe banditëte organizuar grekë masakruan me dhjetra mijra shqiptarë në Jugun e Shqipërisë në 1914.
A keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë kryeministër apo ministër të jashtëm shqiptar t’i flasë popullit për tradhëtinë e Jorgo Zografit? Jo, sepse edhe historinë Shqipërisë ia ka shkruar lobi grek, dhe kryesorja, ajo që bëri Zografi me “Vorio Epirin” dhe me “Protokollin e Korfuzit” është sot plan strategjik i diplomacisë dhe i qeverisë greke. Duket ka qenë një porosi e Athinës ndaj gjithë qeverive postkomunisteshqiptare, që të mbajnë heshtje apologjetike për Jorgo Zografin, sepse duan të ringjallin projektin e tij coptues të viti 1914.
Projekti po vjen tani në formën e kërkesës zyrtare greke për “vetëvendosjen” e 24 mijë minoritarëve grekë në Shqipëri.
Të ulurish është pak. Fantazma e copëtimit dhe grabitjes së territorit të Shqipërisë ka veshtur qyrkun zyrtar diplomatik grek dhe po nxjerr thonjtë. Qeveria dhe shteti hesht. Hesht për turpine vet, për turpin e popullit dhe për turpin e kombit. A e shikoni që nuk ka asnjë protestë zyrtare nga Tirana për çdo ndërhyrje në punët e brendshme dhe për çdo rivendikim territorial skandaloz si ky i “vetëvendosjes” së minoritetit, që Greqia zyrtare drejton në adresë të Shqipërisë?
Heshtja nuk është paaftësi, por është bashkëfajësi. Shteti ka vdekur. Por shpresa ime e vakët është që të mos ketë vdekur populli./ Shkruar për gazetën Dita