Një valë shqetësuese e vetëvrasjeve dhe tentativave për vetëvrasje ka vënë në alarm opinionin publik dhe institucionet në vend.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në Fax News, eksperti i sigurisë Fatjon Softa ndau disa nga shqetësimet më të mëdha që lidhen me këtë fenomen në rritje, duke theksuar ndikimin e krizave sociale, ekonomike në jetën e qytetarëve shqiptarë.
“Nuk jemi një shoqëri e veçantë nga shoqëritë e tjera të botës. Sidomos që prej COVID-it, izolimi i tij ka lënë shenjë dhe janë shtuar fenomenet e vetëvrasjes, duke përfshirë një spektër të gjerë moshash.”- tha Softa.
Sipas Softës, rritja e vetëvrasjeve nuk është e kufizuar vetëm tek të rriturit apo të moshuarit, por gjithnjë e më shumë po përfshin edhe të rinjtë, gratë dhe madje edhe të miturit.
Ai theksoi se situata është e rëndë edhe në burgje, ku të burgosurit shpesh i japin fund jetës përmes vetëvarjes, por edhe në familje me probleme të thella sociale e ekonomike.
“Shoqërisë i janë shembur vlerat dhe antivlerat janë promovuar si vlera. Kemi raste në familje me problematika ekonomike, dhunë në familje, dhe mungesë mbështetjeje për individët që ndihen të braktisur,” – u shpreh ai.
Një ndër shqetësimet më të thella që theksoi eksperti ishte mungesa e statistikave të sakta që pasqyrojnë realisht situatën. Ai i referohet INSTAT-it si një burim që nuk reflekton numrin real të ngjarjeve tragjike.
“Jam munduar t’i referohem statistikave të INSTAT dhe nuk figurojnë të jenë aktuale me numrin real të ngjarjeve. Kjo është shqetësuese në vetvete.”
Fatjon Softa theksoi edhe problematikat e shëndetit mendor te të rinjtë, ku sipas tij, mungesa e komunikimit mes prindërve dhe fëmijëve, si dhe shkëputja e lidhjes me institucionin shkollor, që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin psikik të fëmijëve.
“Prindërit nuk kanë kontakte të drejtpërdrejta me fëmijët dhe me mësuesit. Krijohet një distancë që shton ndjenjën e vetmisë. Në të kaluarën kjo ndjesi prekte më shumë moshat e treta, ndërsa sot është e përhapur edhe te fëmijët.”