Krytari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se ka marrë përkrahjen e tre deputetëve të pakicave joserbe duke krijuar kështu kushtet e arritjes së një numri prej 60 deputetësh që do t’i japin përkrahje për Qeverinë e re, duke llogaritur edhe votat e LDK-së.
“Në “Ambient” të Prizrenit, pavarësisht rinumërimeve dhe paneleve, u sigurua shumica parlamentare për qeverinë e re. Kryetarët e tri partive të komuniteteve joshumicë, njëkohësisht edhe deputetë të ardhshëm, zotërinjtë Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli do ta votojnë qeverinë tonë dhe mua si kryeministër, pa kushtëzime”, ka shkruar Kurti, në një njoftim në “Facebook”.
Kurti ka bërë të ditur se me LDK-në janë marrë vesh të ndërtojnë Qeverinë posa të certifikohen zgjedhjet e 6 tetorit. Numërimi i votave ka përfunduar sot ndërsa ditët në vazhdim pritet të përmbyllet procesi paszgjedhor.