Albin Kurti ka prezantuar sot platformën e tij si kandidati i vetëm për të marrë drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast ai ka falenderuar ish-kryetarin Visar Ymeri, me të cilin tha se do të konsultohet nëse zgjidhjet kryetar, ashtu sikundër ka bërë edhe Ymeri gjatë tre viteve që drejtoi Vetëvendosjen.
“Dua ta falënderoj Ymerin për udhëheqjen trevjeçare, për punën dhe kontributin e vazhdueshëm të tij dhe shumë të vlefshëm. Visari është anëtar i Lëvizjes dhe është deputet i Lëvizjes bashkë me neve. Visari rregullisht është konsultuar me mua sa ka qenë kryetar kur unë nuk kisha më. Kështu do të bëj edhe unë. Do të konsultohem me të”, ka thënë Kurti për Ymerin.
Por, kur Kurti fliste për platformën e Lëvizjes, nga 32 deputetë sa ka Vetëvendosje në Kuvend në këtë legjislaturë, vetëm gjysma prej tyre ishin të pranishëm në këtë ngjarje, duke përfshirë këtu edhe vet Kurtin.
Duhet ditur se Kurti është kandidati i vetëm për kryetar të VV’së në votimin që mbahet më datën 21 janar, ndërsa grupi ‘i të dorëhequrve’ ka kërkuar nga ai që të mos kandidojë për kryetar. (M.Q/Faxweb)