Zbulimi i 15 tonëve me drogë në Llakatund të Vlorës, tronditi opinionin publik këtë muaj. Gazetari Artan Hoxha, i ftuar ën emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, ka zbuluar disa detaje të reja se si u zbulua magazine me drogë.
Gazetari tregon se fillimisht ka pasur një denoncim nga familjarët e dy të zhdukurve në Vlorë, të cilët mendohet se u mbytën në tentativë për të trafikuar drogën me gomone.
PJESË NGA INTERVISTA:
Ministri teknik Dritan Demiraj është shprehur se shumë pak ose aspak drogë ka Shqipëria tani dhe e thënë kjo nga një ministër duhet marrë në konsideratë apo jo?
Unë nuk e shoh Demirajn si ministër, por si një ish ushtarak i cili ka një eksperiencë të madhe, pasi ka qenë edhe në Afganistan ku mbillet masivisht opium. Por duhet t’i ndajmë gjërat, kur flasim për kanabisin në terren, të mbjellë dhe kur flasim për atë të magazinuar, pra ai që është gati për treg. Nëse kanabisi i mbjellë ka këto parametra që janë të shkëlqyera, situata tjetër me kanabisin e magazinuar është krejt ndryshe. Stoku i vitit të kaluar ka bërë që të ndryshojë situata e këtij viti. Së pari që investitorët të mos hedhin para dhe së dyti ka pasur një vullnet politik dhe strategji kombëtare nga Policia që ka dhënë një sukses. Pra shteti e ka në dorë. Kur do, e godet siç e ka goditur sivjet. Por çështja tjetër është ajo e magazinimit që ne i kemi për tregun europian. Dhe kjo është problematika më e madhe e Policisë së Shtetit dhe këtu kemi një lajm shumë të mirë. Është rasti i sasisë prej 15 tonësh të kapur në Llakatund të Vlorës që padyshim është një sukses. Imagjinoni sa punëtorë ka pasur aty.
Pra si u arrit të shkohej në këtë magazinë? Ka pasur një denoncim. Nëse kujtoni në daljen e fundit kam thënë që ka një rast të paprecedentë, ku kishte të paktën 8 kufoma në det të cilat ishin shkaktuar për shkak të trafikut të drogës që bëhej me gomone. Në një rast rezultoi se ishin të zhdukur 2 persona që kanë qenë skafiste. Është një skaf që është nisur nga grykëderdhja e lumit Vjosë dhe për shkak të motit atë ditë, skafi është mbytur dhe kufomat e tyre janë gjetur disa ditë me vonesë, ndërsa ngarkesa me drogë ishte e siguruar mirë. Në dijeninë time familjarët kanë bërë denoncim në Prokurori dhe në moment ka nisur një hetim. Gjithashtu janë vënë në përgjim edhe shumë persona në Vlorë dhe presim të kemi dhe ndonjë aksion tjetër. Të kapësh 15 ton nuk kemi të bëjmë me njerëz të zakonshëm, por me njerëz të lartë. Nga ky hetim me përgjime është arritur të zbulohet magazina me 15 ton kanabis. Pra kjo është beteja e vërtetë e Policisë sivjet. Rezultati që po jepet në terren është sfidues dhe shumë i mirë.
Kur flasim për sasitë e mëdha ka dhe flitet se trafikantët po e përdorin kanabisin për vaj për t’i shpëtuar policisë. A ka një vërtetësi në këtë?
Kjo është një praktikë që nuk ndiqet sot, por ka kohë dhe ekzistonin laboratorë. Pra këta janë laboratorët e vërtetë që ndryshojnë gjendjen e kanabisit e kthejnë nga një masë të ngurtë në të lëngshëm aspo çokollatë. Për vitin e kaluar deri në fund të muajit dhjetor nuk kishte filluar prodhimi i vajit të kanabisit. Një litër vaj kanabisi shkon në 30 mijë euro në tregun evropian. Por është një vaj që mezi gjendet se përdoret dhe për kurë. Fillimi i vajit të kanabisit në Shqipëri për këtë vit ka nisur nga mezi i muajit janar. Zakonisht vaji prodhohet kur ka prodhim të madh kanabisi në vend. Një gjysmë vaj kanabis duhet të paktën 10 kilogram boce e tharë. Unë kam parë disa operacione dhe duhet alkool për të prodhuar vaj kanabisi. Laboratorët e kanabisit vihen në vendet ku ka stok të madh kanabisi. Kanë qene të paktën 3 laboratorë të vendosur në Jug të vendit. Vaji i kanabisit transformon vëllimin dhe e bën më të thjeshtë transportin. (D.D/Shuplaka)