Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla së bashku me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile në PS, Alfred Peza, deputetë dhe, Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit morën pjesë në Forumin e Debatit Qytetar të organizuar në Elbasan.
Forumi Qytetar u drejtua nga Arbër Gjeta, i cili vlerësoi praninë e të gjitha grupeve të interesit në këtë tryezë si dhe garancinë që PS mbështet këtë iniciativë, rrjedhimit edhe problematikat që do të dalin prej saj.
Balla tha se zgjedhjet e 30 qershorit ishin ‘atipike’ ndërsa deklaroi gjithashtu se në mungesë të opozitës është detyrë e qeverisë dhe insitucioneve vendore të ulen me qytetarët.
Në fjalën e tij, Balla theksoi rëndësinë e këtyre forumeve të debatit qytetar në mungesë të një opozite ndërsapër kryetarin e Bashkisë së Elbasanit tha ai, janë shumë çështje që lidhen më adresimin e problematikave që ka qyteti.
“Për ne formësimi i një forumi debati qytetar këtu në Elbasan është i domosdoshëm. Në fakt, gjithmonë në Elbasan është treguar një pjekuri dhe një lloj bashkëjetese politike e cila ka qenë dhe mbetet një model sesi Elbasani mund të reflektojë më shumë edhe drejt Tiranës, aty ku ka nevojë për komunikim, duke lënë mënjanë ndasitë politike.
Por ky forum që ne nisim këtu e ka burimin nga nevoja e pas zgjedhjeve të 30 Qershorit. E them këtë sepse zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin zgjedhje tipike, ishin atipike. Padyshim që, qoftë në punën e përditshme të Kryetarit të Bashkisë, qoftë në punën e përditshme të Këshillit Bashkiak është shumë e nevojshme që të ketë një konsultim me ekspertë të fushave të ndryshme.
Për mua e rëndësishme është të diskutojmë në forum çështje që lidhen me ligjvënien, por për Kryetarin e Bashkisë janë më shumë çështje që lidhen më adresimin e problematikave që ka qyteti.
Në mungesë të një opozite është shumë e rëndësishme që ne të ulemi në këtë forum herë pas here për të diskutuar.”, deklaroi Balla.
Nga ana tjetër Sekretari për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile në PS, Alfred Peza shpjegoi rëndësinë që kanë për PS të tilla forume të debatit qytetar.
Ideja e adresimit nëpërmjet këtij forumi, të problemeve dhe halleve të komunitetit, drejt përfaqësuesve të pushtetit lokal e qëndror, ka rritur entuziazmin se projekti do të funksionojë në të mirë të së ardhmes së tyre.
(F.GJ/FAXWEB.AL)