Ansu Fati është ylli i ri, që po shkëlqen te Barcelona. Klube të ndryshme në kontinent, ato të mëdhatë, janë përfolur se interesohen për të, madje nuk kursejnë edhe shuma marramendëse. Për këtë, klubi katalanas ka menduar ta “blindojë” talentin 17-vjeçar.
Vetëbesimi dhe aftësia e tij për të shënuar gola, pa u impresionuar nga madhështia e rivalit përballë nuk ka kaluar pa u vënë re, ndaj është gati kontrata e re afatgjatë. Futbollisti në fjalë konsiderohet një prej “perlave” më të çmuara të “La Masia” vnë itet e fundit.
Tani për tani, Ansu Fati vazhdon të ketë një kontratë si prodhim i akademisë, e cila u përmirësua në fund të vitit të kaluar, kur filloi të spikaste, për të mbajtur larg klubet e tjera të interesuara. Ai ka firmosur deri në vitin 2022, me klauzolë largimi nga Barcelona 170 milionë euro. Sidoqoftë, kjo shumë nuk mjafton. Drejtuesit do ta rrisin ndjeshëm klauzolën e lirimit, duke dashur të mos e pësojnë si në rastin e Neymar.
Më konkretisht, Ansu Fati pritet të firmosë kontratë si lojtar i ekipit të parë, me rritje rroge dhe ndryshim të klauzolës së largimit. Flitet se klauzola e re e largimit do të jetë rreth 400 milionë euro. Një shifër e paarritshme për çdo klub në kohë krize në futboll, për shkak të Covid-19. Për Neymar, PSG pagoi 222 milionë euro dhe e mori, ndërsa për Ansu Fati dhe disa yje të tjerë, klauzolat janë stratosferike tashmë. Pra, pësimi është bërë mësim te Barcelona.