Policia italiane ka vënë në pranga një 34-vjeçar shqiptar i cili akuzohet për një seri vjedhjesh.
Sipas raportimit të mediave italiane, shqiptari Flovjan Nika jetonte në provincën e Novara-s, ku ndonëse i papunë akuzohet për një seri vjedhjesh.
Portali ‘Lagazzettadiviareggio’ shkruan se karabinierët kishin parë sjellët e tij të çuditshme brenda makinës tip ‘Audi A4’, e më pas kishin nisur verifikimet.
Pas kontrollit të policisë, rezultoi se mjeti në fjalë ishte vjedhur nëntorin e kaluar në Borgo.
Mësohet se menjëherë pas hetimeve, karabinierët kanë nisur ta ndjekin Flovjanin i cili hyri në një parking ku mbeti pa rrugëdalje dhe u arrestua nga policia. Nga një tjetër automjet del një person, i cili ikën me shpejtësi, ndërsa policia nuk ka mundur ta kapë për shkak të errësirës.
Pas kontrolleve të ushtruara nga policia në automjetin e të arratisurit dhe më pas në atë të Nikës u gjetën sende të tjera të vjedhura si bizhuteri, një Ipad Apple dhe dokumente të ndryshme personale.
Po ashtu, atij iu gjetën edhe pajisje për të kryer vjedhje (Varre, kaçavida, pinca dhe shufër hekuri) dhe dy radio transmetuese.
Në të njëjtin parking, policia gjeti dhe një makinë tjetër të vjedhur në dhjetor në provincën e La Spezia-s. Nika ndodhet në qelinë e paraburgimit dhe pret t’i nënshtrohet procedurave të ardhshme të drejtësisë. (D.D/Shuplaka)