Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar sot se forca politike që ai drejton është në fazën e dokumentimit të asaj që e cilëson si “farsa më e madhe elektorale” në Shqipëri dhe diasporë. Berisha u shpreh se pas këtij procesi do të nisin të gjitha format e domosdoshme të protestave, brenda dhe jashtë vendit.
“Ne jemi në fazën e verifikimit të çdo manipulimi që ka ndodhur me votën e shqiptarëve. Procesi është i ndërlikuar, kohëkonsumues dhe kërkon kontroll të detajuar të çdo prove,” tha Berisha.
Ai publikoi disa raste konkrete që sipas tij vërtetojnë manipulimet masive, duke përfshirë përdorimin e fondeve publike, punonjësve shtetërorë dhe presioneve të ndryshme për të ndikuar rezultatin. Berisha akuzoi qeverinë se ka përdorur edhe fenomenin e njohur si “Treni Bullgar” dhe ka dhënë shpërblime financiare gjatë fushatës.
“Vota vdiq pa hyrë në kuti. Edi Rama nuk i ka fituar kurrë këto zgjedhje,” deklaroi Berisha, duke theksuar se sipas tij, propaganda po tenton të mbulojë të vërtetën e manipulimeve masive.
Berisha paralajmëroi se pas përfundimit të dokumentimit, opozita do të nisë protesta në të gjithë Shqipërinë dhe në vendet ku ndodhet diaspora shqiptare.