Nga 625 kontrolle në të gjithë vendin, janë bllokuar 17 subjekte, pasi kishin mungesë të kushteve higjienosanitare, ndërkohë që janë marrë masa “Gjobë” dhe “Paralajmërim” për 241 biznese të tjera”, ky është informacioni që jep Autoriteti Kombëtar për aksionin që ka zhvilluar me rastin e festave.
Përfaqësues të AKU-së sqarojnë se inspektimet janë fokusuar edhe në dyqanet ushqimore, por edhe te produkteve që vijnë nga jashtë vendit. Gjithashtu inspektimet janë bërë edhe në mjetet e transportit të produkteve ushqimore për verifikimin e kushteve se si transportohen ushqimet.
Pas inspektimit ka rezultuar se mishi që importohet nga jashtë është brenda parametrave.
Nga të gjitha inspektimet që janë bërë brenda kësaj periudhe, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur 6.4 milionë lekë gjoba, kryesisht për mungesë të certifikimit të mishit, mungesë te etiketave në gjuhën shqipe, apo mungesë të kushteve për tregtimin e produkteve ushqimore. (V.G/SHUPLAKA)