Vitin e kaluar, stoku i borxhit publik ka pësuar ulje si në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), por edhe në vlerë neto. Por nga ana tjetër, shpenzimet për interesat kanë shënuar rritje të fortë në fillim të vitit.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në periudhën janar-shkurt 2024, shpenzimet për interesat e borxhit arritën në 11,8 miliardë lekë (112 milionë euro) me rritje 55% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritjen më të fortë e patën shpenzimet për interesat e borxhit të brendshëm, të cilat arritën mbi 10 miliardë lekë në dymujorin 2024, ose 75% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Shpenzimet për interesat e borxhit zunë 14% të totalit të shpenzimeve buxhetore në janar-shkurt 2024, nga 10% në dymujorin e parë të vitit të kaluar. Gjithashtu shpenzimet për interesat e borxhit ishin 12 herë më të larta se fondi i investimeve kapitale në të njëjtën periudhë.
Shpenzimet u shtuan prej shtrëngimit të politikës monetare, ku normat e interesit u rritën ndjeshëm pas luftës në Ukrainë. Në fund të dhjetorit 2023, interesi mesatar i letrave me vlerë të qeverisë në tregun e brendshëm arriti në 4% nga rreth 3.3 % që ishte ne dhjetor të vitit 2022. Me fillimin e luftës në shkurt të vitit 2022, interesat e borxhit te brendshëm u rriten ndjeshëm. Projeksionet e Ministrisë së Financave tregojnë se kostot e shërbimit të borxhit do të rriten në dy vitet në vijim.
Sipas rishikimit të fundit të buxhetit 2024, në vitin 2026 shpenzimet buxhetore për interesat e borxhit do të arrijnë mbi 75,1miliardë lekë, me rritje 58% nga fakti i vitit 2023. Gjatë vitit të kaluar, shpenzimet për interesat e borxhit ishin 47 miliardë lekë me një kursim prej 8 miliardë lekësh. Qeveria kurseu një pjesë të interesave pasi para-bleu 250 milionë euro nga Eurobondi që maturohej në vitin 2025. Në vitet në vijim shpenzimet për interesin e borxhit publik janë në rritje të shpejtë. Këtë vit planifikohen të shlyhen 60,8 miliardë lekë ose rreth 580 milionë euro. Në raport me faktin e 2023 shpenzimet për interesat e borxhit rriten me 27% më 2024. Këto shpenzime do të rriten më tej në vitet 2025 dhe 2026 .
Pjesën më të madhe të shpenzimeve për interesat e ka borxhi i brendshëm. Për periudhën 2014-2026, shlyerjet e interesave të brendshme zënë rreth 60% të shpenzimeve gjithsej për interesa.
Rritja e ekonomisë dy vitet e fundit me ritme më të larta se dekadën e fundit ka ndikuar në uljen e treguesit të borxhit në krahasim me PBB-në. Qeveria vitin e kaluar ndihmoi në frenimin e borxhit të ri pasi nuk ka realizuar pjesën më të madhe të deficitit të programuar për 2023./ Revista “Monitor”