Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të ulë në 0.5 për qind nga 1.5 për qind normën bazë të interesit.
Gjithashtu do të zbresë dhe norma e interesit të kredisë ditore nga 1.9 në 0.9 për qind.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Guvernatori i i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se përhapja e pandemisë përbën sfidën më të madhe për ekonominë dhe sektorin financiar të vendit.
“Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo ndihmon funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes. Ky vendim i sotëm plotëson masat e tjera që kemi marrë për minimizimin e efekteve të pandemisë. Gjatë ditëve të fundit:
Banka e Shqipërisë ka rritur kapacitetet operacionale për të garantuar furnizimin e ekonomisë me monedhë dhe kartëmonedhë, si dhe për të garantuar funksionimin normal të sistemit të pagesave elektronike. Brenda kufizimit orar të lëvizjes të vendosur nga autoritetet publike, të gjithë operatorët ekonomikë duhet të jenë të vetëdijshëm se sistemi i pagesave do të funksionojë normalisht.
Banka e Shqipërisë ka adoptuar strategjinë operacionale të injektimit të pakufizuar të likuiditetit në sektorin bankar. Ky sektor, dhe nëpërmjet tij bizneset, familjet dhe sektori publik, do të kenë mundësi të tërheqin pranë Bankës së Shqipërisë të gjithë likuiditetin e nevojshëm dhe të kërkuar prej tyre.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lehtësojë procedurat e shtyrjes me një tremujor të pagesës së kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet e prekura nga kriza, duke i ofruar sektorit bankar hapësirat e nevojshme rregullatore për ta bërë këtë.”, u shpreh Sejko.
Në fund guvernatori përcolli dhe 3 mesazhet e tij dhe të Këshillit Mikëqyrës:
Shqipëria gëzon shëndet të mirë ekonomik dhe financiar;
parametrat e funksionimit të ekonomisë dhe të sektorit bankar janë të shëndetshëm;
rezervat e likuiditetit dhe të kapitalit të sektorit bankar shqiptar janë të larta.
Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vëren se minimizimi i pasojave afatgjata të pandemisë kërkon përpjekje serioze, të koordinuara dhe të harmonizuara, nga të gjitha autoritetet publike dhe private në vend.