Djali 6-vjeçar i familjes Buçi, i cili qe i pranishëm në momentin kur 2 grabitës i vranë të atin po trajtohet me psikolog për shkak të traumës së fortë që ka përjetuar. Sipas dëshmive të fqinjve dhe të afërmve të kësaj familjeje, ai përsëriste pa pushim emrin e të atit.
Policia ka tentuar të marrë fillimisht ndonjë të dhënë nga ngjarja nga 6-vjeçari, por gjendja e tij emocionale ka qenë shumë e rënduar.
Sipas burimeve policore, djali po trajtohet nga një psikolog. Kujtojmë që nëna e tij, Merita Buçi ndodhet ende në spital për shkak të plagëve të marra në këmbë.
Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në rrugën “OSBE” ku 2 persona, sulmuan me armë me qëllim grabitjen duke vrarë 52-vjeçarin Agim Buçin dhe plagosur bashkëshorten e tij Merita Buçi 44 vjeçe. Pronari 52 vjeçar i dyqanit, baba i tri vajzave dhe një djali, u dërgua me urgjencë në spital i plagosur rëndë me plumb në gjoks, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Në lidhje me këtë ngjarje policia ka arrestuar 2 persona, V.K dhe RR. H, si autorë të dyshuar të ngjarjes.