Gazetari dhe analisti Dritan Hila ka reaguar në lidhje me situatën më të re në PD.
Hila thotë se nuk është I zoti ta kuptojë psikologjinë e PD-së por thotë se Basha dhe Selami janë dy figurat më të denja dhe që e meritojnë të jenë në garë.
“Nëse mund ti takojë gara dikujt, këta janë Basha dhe Selami. I pari sepse PD është investuar 12 vjet për atë. I dyti sepse ka investuar dhe janë investuar 25 vjet për këtë punë dhe ka një biografi të qashter.
Të tjerët vetëm fusin shkopinj në rrota dhe nuk ja kanë haberin politikës, por kujtojnë se u bë deti kos dhe meqë kanë një lugë, o burra ta fusim edhe ne”, shprehet Hila.
SHKRIMI I PLOTË:
Personalisht nuk jam i zoti të kuptoj psikologjinë e PD. Kuptoj vetëm Selamin që kërkon kryesimin se ka të drejtën historike. Por tek PD konstatohet se dashkan të gjithë ose kryetar ose deputet. Shto edhe anonimë që quajnë aksion publik politik, statuset në FB.
Nuk dua të merrem me mitomanet, por me njerëz që vërtetë kanë njëfarë peshe.
Qenia kryetar i një partie kombëtare nuk është një çështje dialektore dhe këtu përjashtoj njërën që e dini ju.
Erzin e një partie nuk mund ta mbrojë dikush që s’ka lënë parti pa provuar.
Të jesh kryetar partie do të thotë diçka më shumë se telegrame në fb nga kodrat rrethuese të Tiranës. Dhe këtë e them pa dallim seksi.
Të pretendosh kryetarllëkun, pavarësisht se je politikan, duhet edhe një ekip. Dhe këtu e kam për njërin që u gdhi boksier.
Nëse mund ti takojë gara dikujt, këta janë Basha dhe Selami. I pari sepse PD është investuar 12 vjet për atë. I dyti sepse ka investuar dhe janë investuar 25 vjet për këtë punë dhe ka një biografi të qashter.
Të tjerët vetëm fusin shkopinj në rrota dhe nuk ja kanë haberin politikës, por kujtojnë se u bë deti kos dhe meqë kanë një lugë, o burra ta fusim edhe ne.
Përrallat për një rithemelim të PD do të thotë të harxhohen nja 8 vjet dhe do të përfundojnë si partia e Legalitetit apo BK, sepse Shqipëria nuk mund të presë eksperimente. Po ndenjën te rithemelojnë PD, ka për të dalë një opozitë tjetër.
Rikthimi i PD në luftën kundër komunizmit, do të thotë t’i hipësh një kali të ngordhur që e ka harruar edhe vetë SB i Italisë dhe Shqipërisë. I bie që PD të bëhet shoqatë. Kështu që kush ka atë mendje, le te shkojë tek një nga 3 partitë e ish të përndjekurve.
E vetmja rrugë është të ndiqet modernizimi që filloi Basha në kthimin e saj në një parti popullore. Dhe këtë vizion shikoj që e kanë vetëm emrat që përmenda.
Dhe merrni një çike shembull nga e majta. Edhe ata kishin veteranë, madje më shume më tepër moral sesa këta që kërkojnë kokën e Bashes, por kishin edhe analize politike të kuptonin se një përçarje e PS, nuk do sillte asnjë të mire, megjithëse kryetari i saj kishte shumë pikëpyetje dhe e la partinë me të madhe të vendit 8 vjet në opozitë.
Veçohet këtu që Rama kishte kohë që punonte për ekipin e tij.
Përndryshe do detyroni plakun të ndërhyjë. Dhe at’herë mos nisni të ligjëroni: komunisti, sekretari i partisë etj etj. Në 27 vjet nuk ua ka fajin e majta të djathtës që nuk di të bëjë parti. (B.H/Shuplaka)