Kreu i SPAK, Altin Dumani, u shpreh se pavarësia e Prokuroria Speciale është një nga shtyllat që garantoi suksesin e këtij institucioni në goditjet penale qoftë në aspektin e luftës ndaj korrupsionit ashtu edhe krimit të organizuar.
Por Dumani ka ripërsëritur kërkesën që Prokurorëve të SPAk ti jepet mundësia që të rikandidojnë për mandatet e tyre, pasi kanë një mandat 9-vjeçar, i cili kur përfundon, e kthen prokurorin e SPAK në prokurorinë ku ka qenë më parë.
“Kemi një SPAK funksional por përpara nesh ka shumë sfida dhe përparësi.
Në mënyrë të përsëritur SPAK ka paraqitur qoftë gjatë raportimit në KLP, por edhe në Kuvend, disa shqetësime që shpresojmë mtë gjejnë zgjidhje ligjore nga Kuvendi. Sfida e parë është ruajtja e përgjegjësisë institucionale të SPAK.
Kushtetuta garanton pavarësinë e SPAK dhe kjo pavarësi është një nga shkaqet që SPAK ka filluar të jetë i suksesshëm në ndjekjen penale me natyrë korruptive apo edhe të krimit të organizuar. Një shqetësim i bërë publik është mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit.
Mandati është 9 vite dhe pas 9 viteve kthehen në vendin ku kanë qenë më parë, para se të bëheshin pjesë e SPAK.
Kemi kërkuar të rishikohet dhënia e mundësisë prokurorit të posaçëm, jo zgjatje automatike të mandatit, që të rikandidojnë dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e SPAK”, tha Dumani.