Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj ka zhvilluar një takim në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore me Dr. Arban Domin, teksa kanë ndarë disa nga pikëpamjet e tyre në lidhje me pandeminë e SarsCov2/Covid-19.
Me anë të një postimi në Facebook, Brataj shprehet se: “Ajo që është e rëndësishme, është fakti që të dy e mendojmë njësoj: E keqja më e madhe ka kaluar! Nuk do të ketë valë me përmasa si ato që kaluam! Vaksinimi duhet të vazhdojë në masë! Vaksinimi duhet të bëhet edhe nën moshën 18 vjeç! Kujdesi për një pandemi që nuk ka mbaruar duhet të jetë në vazhdim, me respekt im të masave dhe vaksinim në masë.”
Postimi i plotë i Skënder Brataj:
VITI I PANDEMISË NXORRI DHE NA NJOHU ME SA PASURI INTELEKTUALE KEMI NE SHQIPTARËT NËPËR BOTË!
Profesionistët tanë, kudo që ishin, dhanë një kontribut të çmuar nëpërmjet intervistave, eksperiencave, këshillimeve dhe njohurive shkencore, në të gjitha mediat shqiptare. Jo rrallë po ndodh të takohemi edhe fizikisht me ta. Kësaj here, pata kënaqësinë të kisha për vizitë në Qendrën Kombëtare te Urgjencës Mjekësore, Dr.Arban Domi. Pasi biseduam për shëndetin dhe hallet tona, për çfarë mund të flisnim tjetër? Kuptohet, për vitin e pandemisë, sëmundjen, SarsCov2/Covid-19. Shkëmbimi i eksperiencës, edhe në këto ditë të nxehta korriku, ishte i domosdoshëm.
Dr. Domi, me atë qetësinë e tij, të dëgjon me kujdes, të kritikon me kulturë, të përgjigjet shkencërisht dhe të falënderon miqësisht për atë që kemi bërë në këto muaj pandemie: Ajo që është e rëndësishme, është fakti që të dy e mendojmë njësoj: E keqja më e madhe ka kaluar! Nuk do të ketë valë me përmasa si ato që kaluam! Vaksinimi duhet të vazhdojë në masë! Vaksinimi duhet të bëhet edhe nën moshën 18 vjeç!
Kujdesi për një pandemi që nuk ka mbaruar duhet të jetë në vazhdim, me respekt im të masave dhe vaksinim në masë.
FALENDERIM për kontributin e të gjithëve ju, kudo që jeni!
Dr. Skënder Brataj!