Kryesocialisti Edi Rama kujtoi edhe një herë para grave dhe vajzave beratase se ylli i fatit është përputhur për vendin tonë dhe dera e BE-së është hapur.
Por shtoi se nëse Shqipëria nuk bëhet “orë zvicerane” deri më 2027, ajo derë mund të mbyllet edhe për 15 vite të tjera.
Kreu i mazhorancës tha gjithashtu se dikur BE i shikonte shqiptarët si të dorës së dytë dhe me bezdi, kurse tani i ka ftuar në Union.
“Më 11 maj na ka ardhur ne fati, për ne, që ne të bëjmë histori me 1 votë. Fati e ka dashur që ylli i fatit të BE-së, të rreshtohet në vijë të drejtë. Fati e ka dashur që të gjendemi ne këtu, në vendin dhe kohën e duhur, BE do që ta marrë Shqipërinë brenda në Europë. Fati e ka dashur që ne të gjendemi pak nga finishi, te ai prag që shqiptarët e kanë ëndërruar prej shekujsh. Që na e ka përcaktuar profeti i historisë tonë kombëtare, Skënderbeu, ku i vuri gjoksin Europës dhe tha se vendi ynë është në Europë. E pastaj shekuj pas shekujsh, poshtërimesh e rrëzimesh, që rilindasit e kthyen në amanet, duke e lënë të shkruar se dielli lind nga perëndon, e të tjerë e të tjerë me radhë, kur u përmbys diktatura, pa udhëheqës populli formuloi vetë Shqipërinë e duam si Europa dhe sot populli shqiptar gjendet para derës së Europës, e duket kaq afër sa fundi bulevardit ku jemi këtu.
BE na ka dhënë kalendarin, tre vjet, të punojmë së bashku ditë dhe natë, ta mbyllim kalendarin, kemi filluar vjet!
E kishim fjalën te negociatat. Ne jemi pranë BE-së, deri më 2027 duhet të mbyllim negociatat. Dhe duhet të jemi si sahat zviceran deri më 2027-ën. Janë 250 mijë faqe, punohet natë e ditë nga të gjithë. Tani jemi shumë pranë. Dikur na shikonin si delen e zezë, kur na dëgjonin, na dëgjonin sa për të larë gojën, mezi prisnin sa të mbaronim ne fjalën. Ku janë sot Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut që sot ka ndërruar edhe emrin. Sot jemi krah për krah me Malin e Zi, të tjerët janë mbrapa. Por ajo derë është hapur dhe ne duhet ta kapim afatin, sepse ajo derë mund të mbyllet. Ata nuk na presin neve, dera mund të mbyllet, e të mbetemi jashtë BE-së edhe për 15 vite të tjera, se u ka ndodhur edhe të tjerëve”, u shpreh ai.