Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi flet për herë të parë pas futjes së emrit të saj në listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 18 qershorit.
Ajo do të jetë në tre emrat e parë të listës së Tiranës dhe padyshim në LSI është vlerësuar puna e saj e mirë me forumin rinor. Kërpaçi është nga Saranda që i ka hyrë politikës qysh në moshën 17-vjeçare.
Në intervistën për ”Telegraf” ajo rrëfen për besimin që i është dhënë dhe për sfidat që e presin vendin.
Një vajze e re në krye të një grupimi të rinjsh në të gjithë vendin, emërtuar LRI. Çdo të thotë për ju?
Lëvizja Rinore për Integrim është forumi rinor i gjithë të rinjve! Është forumi që i jep shansin të rinjve për të shprehur mendimet e tyre, për tu përfaqësuar, për të punuar për politika që përmirësojnë jetën e të rinjve,është një familje e madhe,ku mund të njohësh shumë miq të rinj.
Të rinjtë besojnë dhe e kanë shpresën te LRI, sepse ndër vite LRI ka treguar seriozitet, përkushtim dhe shumë ndjeshmëri duke punuar pranë dhe bashkë si ekip me energji rinore për të përmirësuar përditshmërinë dhe të ardhmen e tyre.
Jam angazhuar në forumin rinor të LSI, kur isha 17 vjeç, në një moshë të vogël kur nuk e kuptoja se çfarë ishte politika dhe se nuk mendoja se ajo i jepte shansin një të riu për tu përfaqësuar. Të angazhohesh në politikë, është përgjegjësi, kërkon maturi, qetësi dhe dashuri për të bërë punë të mira për vendin. Unë jam e bindur që me LRI, ashtu siç deri tani kemi ndërmarrë nisma dhe propozime konkrete për Maturën Shtetërore, punësimin e të rinjve, do të vazhdojmë të punojmë për të krijuar shanse për çdo të ri dhe të re!
Për mua dhe për të rinjtë kandidate të LSI, një Shans për të gjithë është një mision ku në 2017 rinia merr kontrollin, rinia merr drejtimin e fatit të tyre dhe pushteti i deleguar nga vota e rinisë nuk do qëndrojë në duart e ndonjë politikani në lidhje me drogën e krimin, apo që pushtetin e përdor vetëm për të pasuruar familjen dhe fëmijët e vet, por fale nesh pushteti do jetë gjithmonë në duart e rinisë, pushteti dhe e mira e përbashkët do i shpërndahet rinisë për një jetë më të mirë!
Si është një ditë për Floidën?
Dita ime nis si dita e çdo të riu, duke shkuar dhe në universitet. Më pas vijon me angazhimet dhe takimet me të rinjtë energjikë të LRI-së, të cilët çdo ditë vijnë me ide të reja! Diçka shumë e rëndësishme të cilës unë i kushtoj një pjesë të mirë të kohës sime është leximi i mesazheve që mund të më kenë shkruar në faqen time publike në rrjetet sociale, pasi mund të jetë dikush që ka nevojë për përgjigje apo ndihmë për një hall apo shqetësim urgjent dhe ka shkruar, më pas vazhdoj agjendën e ditës dhe nuk harroj ti hedh një sy lajmeve të gazetave të ditës, pavarësisht se ne rinia sot lajmin e marrim nga portalet online apo drejtpërdrejt nga facebook.
Deri në 18 qershor dita ime dhe e çdo të riu kandidat të LSI është komunikim i platformës së LSI për të sjellë në familjet Shqiptare mirëqenie, paqe dhe më shumë shanse. Në këtë moment historik të kalimit të pushtetit jo thjesht nga një parti te një tjetër, por nga partiakët tek rinia e te njerëzit e thjeshtë, dita ime i dedikohet motivimit të çdo të riu e të reje për të dalë, për të marrë në dorë fatin e vet, të brezit tonë e të vendit tonë! Mbajeni mend, ky është një moment historik!
Nëse ‘97 kujtohet në histori si momenti fatkeq i shkatërrimit të institucioneve dhe perspektivës evropiane të vendit, vendimmarrja e votuesve në vitin 2017 do jetë vendimmarrëse. E vetmja alternative për paqe, progres dhe politikanë të thjeshtë që i njohim mirë problemet e popullit është rinia, lista e LSI dhe vota për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Jeni bërë pjesë e shumë takimeve me gjimnazistët në gjithë vendin. Keni premtuar ndryshim rrënjësor të sistemit arsimor. Nga do të nis ky ndryshim dhe çfarë premtohet të jetë më mirë se sot?
Jemi e vetmja parti që ka një program të dedikuar për arsimin. Programi quhet “Edukim cilësor për Familje të Shëndetshme”, sepse pa edukim nuk ka të ardhme dhe ne i shohim të ndërlidhura fort të gjithë këto përbërës: edukimi, punësimi, shëndeti i familjes.
Arsimi është çelësi i zhvillimit dhe progresit të një vendi , ndaj problematikat e tij kanë qenë gjithmonë në qendër të kauzave tona. Matura shtetërore ndër vite ka pësuar ndryshime të vazhdueshme, duke i bërë maturantët të ndjehen të paqartë dhe jo të sigurt për këtë hap të rëndësishëm në jetën e tyre.
Nisur edhe nga problemet që patëm vjet me Maturën Shtetërore, LRI ndërmori një tur takimesh në të gjithë Shqipërinë, ku diskutuam me maturantë dhe gjimnazistë në lidhje me shqetësimet dhe propozimet që ata kishin. Ne hartuam një paketë propozimesh të cilat i dorëzuam edhe pranë Ministrisë së Arsimit.
Arsimi meriton më shumë vëmendje, transparencë dhe mbi të gjitha të gjithë gjimnazistët duhet të kenë një informim të unifikuar. Për këtë arsye LSI ka punuar për një program që synon të krijoj shanse për një Arsim Cilësor. Është një program shumë vizionar që do të ringrejë në themel çerdhet , kopshtet, shkollat dhe Universitet.
Ky program bazohet në 3 pika kryesore:
Të shtohen investimet në infrastrukturë, duke modernizuar ambientet e mësimdhënies.
Të kemi kurrikula dhe tekste bashkëkohore dhe të certifikuara dhe të ndihmojmë mësuesit tanë me trajnime të vazhdueshme për misionin e përditshëm që ata kanë.
Ky program, i jep shansin çdo të riu për tu mirëarsimuar dhe aftësuar për në tregun e punës!
Floida sa anëtarë numëron sot LRI dhe çfarë presin ata nga kjo lëvizje? A ka të zhgënjyer nga parti të tjera që kanë gjetur veten në këtë grupim?
LRI është sot forumi rinor më i madh në vend. Me mijëra të rinj janë sot pjesë e LRI sepse ata e shohin këtë forum si shpresë për një të ardhme më të mirë!Për ne të rinjtë nuk janë statistikë por për ne çdo i ri është vlerë e shtuar dhe një force me shumë për të bërë diçka pozitive për vendin me punën tonë të përbashkët.
Të jesh pjesë e LRI, do të thotë të kesh miq shumë të mirë, të jesh në një grupim ku ti ke shanse, do të thotë të përfaqësohesh, të shprehesh pa u paragjykuar, të të dëgjohet dhe vlerësohet mendimi. Shumë të rinj bëhen pjesë e LRI sepse ata e dinë që në LRI kanë një shans.
Sot LRI ka 2 deputete të reja në parlament, 80 Këshilltar Bashkiakë në të gjithë vendin që janë zëri i problemeve dhe shqetësimeve të të rinjve. Para disa ditësh kam takuar një vajzë të re, e cila më tha diçka që më ngeli në mendje.
Para 4 vitesh ajo kishte votuar për herë të parë, por nuk e kishte menduar gjatë partinë, por thjesht kishte menduar ta kalonte edhe këtë detyrim dhe të vazhdonte ditën e saj. Sot ishte shumë e penduar dhe në qoftë se do ta kthente kohën mbrapsht do kishte votuar një parti tjetër, të thjeshtë, jo arrogante, një parti që i mbështet të rinjtë dhe jo parti që mbështet krimin dhe drogën dhe për këtë më tha një shprehje: ‘’Vota është shumë e rëndësishme, duhet të votosh partinë që është e thjeshtë, pranë problemeve dhe shqetësimeve tona dhe partinë që të jep një shans’’
Unë dua ti bëj thirrje të gjithë të rinjve, të bashkohen me LRI, për të punuar së bashku për sfidat tona të përbashkëta dhe për të krijuar një shans për të gjithë !
Ju jeni anëtare e këshillit Bashkiak ne kryeqytet. Në këndvështrimin tuaj, ku janë problemet më të mëdha?
Tirana edhe pse kryeqyteti i Shqipërisë, është një qytet me shumë problematika dhe kërkon një vëmendje të madhe që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetareve. Që ditën e parë të punës në Bashkinë e Tiranës, kuptova që na priste një punë e madhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
Mund të them që është bërë një punë e mirë, duke filluar nga rregullimi i rrugëve dhe rrugicave më të thella të lagjeve tona, duke vazhduar me shtimin e hapësirave të gjelbërta. Sot kemi në Tiranë më shumë hapësira me kënde lojërash ku të rinjtë luajnë dhe kalojnë kohën e tyre të lumtur dhe të lirë. Sot,rrugica që më përpara ishin në errësirë edhe ishte e pamundur të kaloje, duke i krijuar vështirësi vajzave të reja, janë ndriçuar dhe kanë infrastrukturën e nevojshme për tu ndjerë të sigurta. Kemi kaluar në Bashkinë e Tiranës,dy projekte rinore shumë ambicioze, të cilat bashkë me grupin e Këshilltarëve të LSI i kemi propozuar dhe i kemi pasur pika të programit tonë.
Projekti për fondin për bizneset sociale rinore dhe projekti më i ri, për të rinjtë dhe te rejat drejt një profesioni që i jep shansi çdo të riu të sapodiplomuar për të ndjekur trajnimin pranë një ndërmarrjeje publike ose private, kundrejt një shume të pagës minimale. Ky trajnim i ndihmon të rinjtë për të fituar eksperiencën në tregun e punës dhe pastaj në bazë të aftësive bindëse me biznes të rinjtë që kanë aftësitë më të mira mund të punësohen duke i dhënë atyre edhe një shans më të madh. Por sfidat e të rinjve në Tiranë janë shumë të mëdha, problematike edhe sot që flasim është aboneja e studentit, karta e studenti për të cilat është folur dhe premtuar shume!
Si ndihesh që je pjesë e listave për deputet të Tiranës ?
Të jesh pjesë e listave të lëvizjes socialiste për integrim është një vlerësim dhe përgjegjësi shumë e madhe. Unë e ndjej këtë jo vetëm për shkak të përgjegjësisë që kemi ndaj rinisë shqiptare, por sepse LSI është një parti e konsoliduar, në vendin tim e të të rinjve të tjerë, mund të kishte shumë anëtarë të LSI që kanë potenciale të larta e pozitë shoqërore, arsimim e background për t’u lëvduar, por ky ishte një vendim i marrë nga lidershipi i partisë pikërisht për shkak të gjendjes ku jeton sot rinia shqiptare.
Rinia shqiptare ka nevojë për politikanë të rinj që i njohin problemet e tyre dhe pikërisht LSI na ka besuar me këtë mision. Megjithatë, më duhet të shtoj këtu që në këtë situatë politike që gjendet vendi jonë, të qenit pjesë e listave është gjëja më e parëndësishme për njerëzit e thjeshtë. Në këto momente kritike, të gjitha palët duhet të kenë vullnetin politik që vë në prioritet të ardhmen e vendit tonë. Është e vështirë të artikulohet dhe të mendohet që në 2017, ne diskutojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kur duhet të ishim duke punuar për projekte, politika dhe zgjidhje për problemet e shumta që familjet tona kanë.
Në këto ditë, çdo politikanë dhe i zgjedhur duhet ti kthej sytë nga populli, hallet, problemet që ata kanë. Politikanët e konfliktit duhet t’i kthejnë sytë dhe të kuptojmë që ka familje që mezi e përballojnë të blejnë edhe bukën dhe pastaj të kuptojmë që me kokëfortësi, krenari nuk mund të vazhdojmë dot.
S’mund të shkojmë në një rrugë pa krye, por duhet të mendojmë sesi ta rimëkëmbim ekonominë, si të hapim vende të reja pune, të tërheqim investitorë të huaj dhe t’u japim shansin të rinjve për të krijuar një të ardhme më të mirë në vendin tonë, nëpërmjet një shansi që politika dhe politikat që ajo do të prodhoj do t’i japë. Të rinjtë në listat e LSI, ashtu si dhe unë është krahas një vlerësimi të LSI për rininë, një përgjegjësi e jona personale, sepse kjo tashmë është një punë dhe shans për rininë të fitojë këtë luftë brezash, lufta mes të rinjve që kërkojnë më shumë shanse për brezin e tyre dhe të vjetërve që mendojnë vetëm për interesin e tyre e të familjarëve të tyre.
Është koha për qetësi, maturi, shumë punë dhe mbi të gjitha është koha për të kthyer kokën nga populli dhe hallet që ata kanë, për të kuptuar që kemi akoma shumë punë për të bërë. Ne jemi të vendosur, me LSI, do të punojmë shumë për të sjellë një shans për të gjithë, dhe se ne këto zgjedhje LSI do të jetë forcë e parë!
Forcë e parë për rininë
Forcë e parë për njerëzit e thjeshtë
Forcë e parë për Shqipërinë
Një votë për LSI do jetë një votë për veten në 18 qershor!