Që prej orës 18:00 të ditës së djeshme për shkak të intensitetit të lartë të erës, flakët në pyllin me pisha në Pishporo kanë dalë jashtë kontrollit duke u përhapur në një sipërfaqe të gjërë.
Përballë një situatë të tillë janë kërkuar përforcime në ndihmë të zjarrfikësve të Fierit të cilëve iu janë bashkuar edhe shërbimet zjarrfikëse të Lushnjes, Divjakës, Rroskovecit , Patosit dhe kompanisë Albpetrol të cilat kanë operuar në terren deri në mesnatë.
Mëngjesin e sotëm, në ditën e 5 të të zjarrit tre mjete zjarrfikëse, punonjës të Adzm, forca mbështetëse të bashkisë dhe 40 forca të ushtrisë janë angazhuar në terren që në orët e para të mëngjesit, por era e fuqishme i ka aktivizuar të gjitha vatrat në masivin pyjor në zonën e mbrojtur.
Në terren për të monitoruar nga afër situatën ka zbritur dhe drejtori i emergjencave civile Haki Çako, i shoqëruar nga prefekti i Qarkut Lefter Shehaj, i cili është shprehur se situata është shumë e vështirë për shkak të pamundësisë për të ndërhyrë nga ajri teksa ka theksuar se forcat operacionale do të qëndrojnë veçanërisht afër zonës së banuar.
Flakët vijojnë të përhapen dhe drejt parcelave të mbjella kryesisht me misër të banorëve të zonës ndërsa era e fortë nuk ndihmon në vënien nën kontroll të zjarrit i cili deri tani ka djegur 500 ha pyll me pisha.
Discussion about this post