Hektor Zenuni është njeri prej të plagosurve nga zjarri në Velipojë. 33-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë pasi ka pësuar djegie në 70% të trupit.
Por për “Shekullin” ai ka treguar momente nga shpërthimi në lokalin e tij. Sipas të riut babai i tij Besnik Zenuni kishte zbritur në bodrum për të rregulluar çisternën me gaz, pasi ishte e prishur. Por, në një moment Hektori tregon se ka dëgjuar një shpërthim.
“Isha në banak kohën kur dëgjova shpërthimin. Zbrita menjëherë të shikoja se çfarë ndodhi, por pashë të shtrirë babanë. E mora menjëherë në krahë për ta nxjerrë jashtë, por pas disa sekondash ndodhi një shpërthim tjetër. Më shtyu fort përpara dhe që nga ky moment nuk mbaj mend se çfarë ndodhi. Jam zgjuar në spital”, është shprehur 33-vjeçari.
Të dy atë e bir u plagosën rëndë nga shpërthimi, që lëndoi edhe disa persona të tjerë dhe vuri në rrezik jetën e shumë pushuesve. Babai i tij Besnik Zenuni ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme pasi kishte 95% të trupit të djegur. (J.V/Shuplaka)