Anëtarët e Këshillit Politik po vijojnë prej më shumë se katër orësh mbledhjen e thirrur nga opozita për ndryshimet kushtetuese. Me kërkesë të Gjiknurit, po bëjnë pak minuta pushim ndërsa kanë porositur pica për të ngrënë. Kjo tregon se mbledhja do të zgjasë edhe disa orë ndërsa pritet që të arrihet dakordësi mes palëve për ndryshimet kushtetuese.
Në tryezë nuk kanë munguar debatet për hapjen e listave dhe disa orë më parë, pak pas daljes së Rudina Hajdarit, përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri kërkoi që të mbylljen e mbledhjes disa herë, duke i qëndruar ndryshimeve të njëanshme të hartuara dhe paraqitura nga PS.
Por opozita vazhdoi më tej duke theksuar se është e domosdoshme dakordësia pasi ditën e nesërme pritet që të votohen në Kuvend. Përfaqësuesit e Opozitës së Bashkuar, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë vënë theksin tek nevoja për të gjetur konsensus dhe se propozimi i Opozitës jep zgjidhje konkrete për hapjen 100 % të listave dhe duhet të shqyrtohet nga Këshilli.
Opozita ka paralajmëruar se me ecjen në mënyrë të njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës, PS po shkatërron marrëveshjen e 5 Qershorit dhe 14 Janarit, duke hedhur në erë konsensusin e arritur, që është kyc për hapjen e negociatave.(A.M/Faxweb.al)