Bundestagu gjerman miratoi sot ndryshimet e Ligjit mbi migracionin, me të cilat u ofrohet mundësi azilkërkuesve që jetojnë 5 vjet e më tepër në Gjermani si dhe punëtorëve me kualifikime për të marrë një leje të përhershme qëndrimi.
Sipas planeve të Qeverisë Federale, e drejta e qëndrimit duhet të ofrojë perspektivë për migrantët e mirë integruar që jetojnë në Gjermani prej disa vitesh pa status të sigurt.
Përjashtohen kriminelët dhe personat që fshehin identitetin e tyre për të shmangur dëbimin, transmeton Telegrafi.
Kushdo që ka jetuar në vend për pesë vjet deri më 31 tetor 2022 dhe nuk ka kryer një krim, duhet t’i jepet 18 muaj afat për të përmbushur kërkesat për qëndrim afatgjatë – kjo përfshin njohjen e gjermanishtes dhe sigurimin e jetesës së tyre.
Përveç kësaj, Parlamenti miratoi një ligj që parashikon ndryshime në procedurat gjyqësore që kanë të bëjnë me azilin. Ligji prezanton gjithashtu këshilla për procedurën e azilit që është e pavarur nga autoritetet për herë të parë, ku refugjatët mund të marrin këshilla dhe ndihmë përpara dhe gjatë procedurës.
Paketa legjislative përfshin gjithashtu dëbimin më të lehtë të kriminelëve. Për qeverinë federale, ligji është pjesa e parë e një pakete migracioni, ku do të pasojnë edhe dy të tjera.