Në gjendje mjaft të rënduar janë grevistët e Zharrëzës në Fier, të cilët vazhdojnë të vendosur ditën e 7-të të grevës së urisë.
Disa prej tyre janë shoqëruar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme pas gjendjes së të fiktit, ndërsa janë rikthyer në vendin e grevës.
Banorët kundërshtojnë shpimet për naftë nga ”Bankers Petroleum”, pasi sipas tyre për shkak të tyre po ndodhin tërmete të tokës ku janë ndërtuar shtëpitë e tyre.
Një grup deputetësh kanë shkuar në vendngjarje, mes të cilëve dhe Ben Blushi siç po e ndiqni në video por ende nuk ka një reagim të qeverisë, apo kompanisë për të plotësuar kërkesat e tyre. Grevistët dhe përfaqësuesit e tyre ankohen edhe për censurim nga mediet shqiptare.
‘’Për fat të keq ju jeni të braktisur nga shteti dhe mediet në mënyrën më kriminale. Mediet kanë kohë të japin makinën e Noizyt që po digjet po nuk kanë kohë për ju. Pa folur pastaj për qeverinë që në ccdo rast ka mbajtur palën e anës tjetër’’, është shprehur deputeti Blushi.
“Duhet të tregoni që i gjithë populli i Zharrëzës është në një mendje. Mblidhuni këtu bëni një marshim lëni një orar! 3 mijë veta shkoni në këmbë në Fier! Ajo është gjëja që mund të bëni. Sepse e gjithë Shqipëria nuk e di (çfarë po ndodh në Zharrëz). Mediat nuk e japin, ju kanë bojkotuar. Media dhe qeveria janë me palët e “Bankers”, janë me të pasurit. Kjo është çështja dhe ju kanë bojkotuar! Ju nuk duhet të vdisni! Ju duhet të sensibilizoni Shqipërinë se jeta juaj është në rrezik! Dhe qeveria që ju përfaqëson nuk është me ju, nuk ju mbron, por është me palën që rrezikon jetën tuaj! Por përse është kështu? Për shkak të rryshtetit natyrisht! Një naftë e përzier me gjak ne nuk na duhet! Kjo është naftë me gjak! Makinat e Shqipërisë nuk mund të mbushen me naftë tuaj me gjakun tuaj! Se kështu është! Në vend që të blesh naftë blen gjak, nëse këtu ka njerëz, që u rrezikohet jeta!”,tha mes të tjerash Blushi.
“Koha nuk pret për zgjidhjen e kësaj çështje. Duhet të ngrihet me urgjencë komisioni qeveritar për situatën e krijuar në Zharrëz në mënyrë që të fillojë ndërhyrja emergjente. Gjendja e grevistëve të urisë është e rëndë dhe letra e deputetëve shpreh shqetësimet e komunitetit”, tha Vasili, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së. (V.G/SHUPLAKA)