Një person është arrestuar nga Policia dhe tre të tjerë janë proceduar penalisht pasi akuzohen se kanë hedhur lëndë plasëse molotov drejt godinës së Bashkisë, gjatë protesave të mbajtur kundër Veliajt.
Sipas policisë në pranga ka rënë një 38-vjeçar, i cili është ndaluar edhe më datë 16 maj në lidhje më protestën e mbajtur më 14 maj te Bashkia. Ndërkohë procedimi ka nisur për një 21-vjeçar, një 41-vjeçar dhe një 49-vjeçar po për të njëjtat akuza. Ata akuzohen për veprat penale: “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 21.05.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin:
– E. V., 38 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”. Ky shtetas është ndaluar dhe më datë 16 maj, në lidhje me protestën e datës 14 maj 2024.
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit K. B., 21 vjeç, S. J., 41 vjeçe, të dy banues në Tiranë, dhe S. B., 49 vjeç, banues në Krujë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.