Ndoshta kujtdo do t’i kenë bërë përshtypje fotot nërpër rrjete sociale të disa prej futbollistëve të kombëtares por edhe kampionatit vendas, teksa shprehin me gjeste hapur besimin e tyre, në shumicë muslimane.
Imami i xhamisë “Dine Hoxha”, apo siç njihet më së shumti, xhamisë së Rrugës së Kavajës, Ahmet Kalaja, gjithmonë është personi që i shoqëron këta futbollistë në faljet e tyre, por me sa duket edhe në momente të tjera private.
Në rrëfimin e tij për “Exclusive” në Top-Channel, Imami Kalaja foli gjatë për lidhjet me futbollistët.
“I kam njohur për shkak të pozitës time si Imam i kësaj xhamie, ku shumë futbollistë vijnë të falen. Kemi krijuar shumë miqësi me ta, janë djem të kompletuar nga ana intelektuale, fizike dhe atyre i ka mbetur tashmë përmbushja shpirtërore që me sa duket e kanë gjetur tek feja, tek besimi në Zot”, thotë Kalaja.
Këtë gjë e konfirmon edhe lojtari i përfaqësueses Jahmir Hyka: “Kam filluar të vij në xhami që në moshën 13-vjeçare dhe ndihem shumë mirë me besimin që kam dhe nuk e fsheh asnjëherë ta shfaq dhe nuk do ta bëja kurrë”.
Me të njëjtën krenari e shpreh edhe mborjtësi i kombëtares Mërgim Mavraj: “Mua nuk më pengon aspak feja ime, përkundrazi e kam për krenari dhe vëllezërit e motrat e mi më kanë përkrahur e mbështetur, pavarësisht nëse kanë qenë musliman apo jo.”
Ndërkohë që jo rrallherë kanë patur impakt të zhurmshëm shfaqet në publik të gjesteve të besimit të lojtarëve, apo vendimet e tyre. I tillë ishte momenti kur pikërisht, lojtari i kombëtares Mërgim Mavraj, refuzoi fanellën e stërvitjes me reklamë një pije alkolike, apo vendimi për të mos agjëruar gjatë muajit të Ramazanit që përkoi me periudhën e pjesmarrjes sonë në Europian.
“Edhe pse lojtaret donin të agjëronin duke u shprehur se ndihen më mirë agjerueshëm, i këshillova të mos e bënin sepse nëse do të ndodhte diçka do ja vinin fajin agjërimit. Kjo gjë ndodh me mediat tona, kryesisht ato kosovare të cilat shpesh janë marrë me këto ngjarje duke i vënë në diskutim edhe besimin,” – shton Imami Kalaja që theksoi se djemtë e kombëtares por edhe të klubeve të ndryshme janë të qartë për ekstremizmin.
“Shpesh herë media keqinformon me gjërat që publikon, për çdo shpërthim thonë ja muslimanët, por e vërteta është krejt ndryshe. Ne, feja jonë na mëson shumë se si të sillemi me njerëzit, jo vetëm ata që njohim dhe jo vetëm ata të fes tonë por edhe të feve të tjera që ti respektojmë”, shton zv.kapiteni i Tiranës Gentian Muça.
“Këta janë djem të lexuar dhe e kanë bërë prej kohësh dallimin mes Islamit real dhe atij të ashtuquajtur radikal. Të jesh musliman i mirë do të thotë të respektosh të tjerët e të sillesh mirë në shoqëri e familje. Djemtë nuk kanë patur asnjëherë paqartësira të tilla, atë për të cilën ata interesohen janë rastet për bamirësi. Pyesin shpesh nëse ka familje apo fëmijë që ë mund t’i ndihmojnë, janë kontribues të rregullt,” përfundon imami Kalaja. (A.R/SHUPLAKA)