Në një intervistë për Fax News, analisti Olsi Jazexhi deklaroi se Shqipëria është pozicionuar qartësisht në krah të Izraelit në konfliktin me Iranin. Sipas tij, kjo mbështetje nuk është vetëm politike, por edhe praktike, pasi në vend janë strehuar muxhahedinët iranianë në kampin e Manzës, të cilët, sipas Jazexhiut, janë të përfshirë në veprime të paligjshme si sulmet kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit.
Ai shtoi se ky pozicionim i Tiranës lidhet me përfitime të drejtpërdrejta gjeopolitike, ku Shqipëria, sipas tij, mbështet Izraelin pasi ky i fundit ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jazexhi kritikoi këtë orientim të politikës së jashtme shqiptare, duke e konsideruar të rrezikshëm për sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.