Përmes një postimi në Twitter, menjëherë pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, John Bolton, Këshilltari i presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare thotë se, është tani momenti që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje.
Zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë të dyja palët drejt arritjes së këtij synimi historik.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet në një vizitë zyrtare në Washington ku është takuar me disa zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë.
Të hënën ai u takua me Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo i cili përcolli të njëjtin mesazh, duke u bërë thirrje të dyja palëve të shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Pompeo tha se, – “normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”.
Presidenti i Kosovës i cili ka hedhur idenë e “korrigjimit” të kufijve gjatë muajve të fundit, por pa a sqaruar konkretisht se çfarë nënkupton me të, gjatë vizitës së tij në Uashington, në komentet pas takimeve me sekretarin Pompeo dhe zotin Bolton, nuk e ka përmendur idenë e “korrigjimit” të kufirit.
Ndërkohë që qëndrimi i Thaçit ka ngjallur tensione dhe reagime të shumta, një krizë e re ka lindur ditët e fundit në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë pas tarifave prej 100% që qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj importeve serbe, kjo si shenjë hakmarrje ndaj politikës së vazhdueshme të kësaj të fundit për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
(F.GJ/FAXWEB.AL)