Ish-deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima ka qenë i ftuari i gazetarit Çim Peka në emisionin “Fakt”, ku ka folur mbi marrëdhëniet e tij me kryeministrin Edi Rama dhe me atë që pritet të ndodhë në vijim.
Sipas tij, vendimi për ta përjashtuar si anëtar i Asamblesë së PS-së është i paligjshëm dhe se që do të anulohet.
Pjesë nga intervista:
Ju i keni shpallur luftë kësaj gjendjeje. Ku dhe si do ta bëni këtë luftë. Dhe a keni aleat në këtë luftë?
Kam një aleat shumë të madh: popullin shqiptar, njerëzit e thjeshtë, ata që vuajnë korrupsionn, papunësinë, varfërinë etj.
Ku do ta bëni këtë betejë, brenda apo jashtë PS?
Unë do ta bëj këtë betejë në PS dhe jashtë saj.
Çfarë nënkuptoni me brenda PS? Kam ndjekur takimet tuaja dhe të jem i sinqertë më ka suprimuar takimi i Vlorës dhe Sarandës, por kam menduar se duke qenë brenda PS, nuk ka patur komplekse nga militantët që të vijnë në takimet tuaja. Si do ti vazhdoni këto takime tani që jeni zyrtarisht i përjashtuar nga funksionet brenda partisë?
Unë nuk jam i përjashtuar nga PS. Jam shkarkuar nga anëtar i Asamblesë. Unë mendoj se do ta rivendos këtë të drejtë sepse është një vendim i gabuar, absolutisht në kundërshtim dhe në dëm të PS. Është një vendim i paligjshëm dhe besoj se do të anulohet. Por kjo nuk më prish punë. Unë jam anëtar i PS dhe më mjafton.
Kush mund ta anulojë këtë vendim?
Atë do ta anulojnë ose Komisioni i Garancive Statutore të PS-së ose Gjykata e Shqipërisë. (A.R/SHUPLAKA)