Tri javë pasi Edmond Koseni fitoi “betejën” me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kjo e fundit është duke shqyrtuar mundësinë e rikthimit të tij në detyrë.
Në një reagim zyrtar për “Gazeta Shqiptare”, Policia e Shtetit bën me dije se është në proces shqyrtimi për të zbatuar vendimin e gjykatës përsa i përket pjesës financiare edhe për rikthimin e tij në punë.
Nga ana tjetër, Edmond Koseni është shprehur se është i gatshëm të shkojë atje ku do ta emërojnë.
“Do të shkoj kudo që do të më emërojnë, nuk e kam problem se në cilin qytet të Shqipërisë. E rëndësishme për mua është rikthimi në radhët e policisë dhe në të njëjtën gradë e pozicionin që kam pasur, pasi kudo që të jem, do të jem i përkushtuar në punën time”, ka thënë ai për Gazetën Shqiptare.
“Unë u kam çuar dokumentet, të gjitha vendimet, atë të Gjykatës së Apelit, të Gjykatës së Lartë, si të Penales dhe të Civiles që i kam fituar. U kam bërë edhe një kërkesë me anë të avokatit tim për rikthim në detyrë. Një kopje ia kam nisur ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit dhe një tjetër drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakos. Tashmë jam duke pritur përgjigjen e tyre. U kam lënë edhe numrin e telefonit dhe jam në pritje. Kam 16 vite që pres të rikthehem në radhët e policisë”, ka shtuar i ashtuquajturi “Komisari i Hekurt”.
Sipas vendimit, Edmond Koseni do të paguhet që nga dhjetori i vitit 2005 e deri në momentin që do të futet në punë. Ai u bë i njohur në 1997, kur u shpalli “luftë” bandave të armatosura të Shqipërisë së Mesme.
Më datë 19 Nëntor të këtij viti, Gjykata e Tiranës nxori një urdhër ekzekutimi për rikthimin në detyrë të Edmond Kosenit, ish-drejtor i policisë së Elbasanit në vitin 1997, me të njëjtën gradë që kishte në vitin 2005 kur u pezullua nga detyra.
Kështu, me vendim të Gjykatës së Tiranës, Koseni fitoi të drejtën për të marrë të gjitha pagat që nga koha kur ishte pezulluar nga detyra.
Edmond Koseni u pezullua nga detyra në dhjetor të vitit 2001 për shkak të një procesi penal kundër tij. Edhe pse nga ky proces Koseni u shpall i pafajshëm, u la pas dore nga krerë të lartë të policisë duke mos e rikthyer sërish në detyrë.
Pas marrjes së pafajësisë nga gjykata e Elbasanit, Koseni i ka kërkuar palës së paditur që ta rikthejë në punë, por pasi iu refuzua kjo kërkesë, ai ngriti padinë objekt gjykimi. Në qershor të vitit 2012, Edmond Koseni fitoi gjyqin në Gjykatën e Apelit.