Opozita gjermane e qendrës së djathtë pritet të fitojë zgjedhjet e së dielës në dy shtete, ndërsa Kancelari Olaf Scholz ndodhet në mes të mandatit të një qeverie që nuk gëzon popullaritet mes votuesve. Sondazhet me zgjedhësit pas votimeve tregojnë për një rritje të mbështetjes për partinë e ekstremit të djahtë, “Aleternativa për Gjermaninë”.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, e cila u përball me një betejë të vështirë në përpjekjet për t’u bërë guvernatore e rajonit të saj, duket se po shkon drejt një disfate të rëndë.
Në Bavari, rreth 9.4 milionë banorë kanë të drejtë vote për legjislaturën e re shtetërore dhe rreth 4.3 milionë në shtetin fqinj Hesse, një rajon që përfshin kryeqytetin financiar të Gjermanisë, Frankfurtin.
Të dy shtetet drejtohen nga blloku kryesor opozitar i vendit i përbërë nga Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) dhe Bashkimi Kristian Social i Bavarisë (CSU).
Sondazhet me zgjedhësit pas votimeve nga televizionet publike gjermane ARD dhe ZDF tregojnë se partia CSU, e cila e ka udhëhequr Bavarinë që nga viti 1957, kryeson garën me një mbështetje prej 37%.
Në Hesse, anketat tregojnë se partia CDU kryeson me rreth 35% të votave, shumë përpara rivalëve të saj.
Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila është ngritur në vendin e dytë në sondazhet kombëtare pas bllokut konservativ, nuk do të jetë një faktor në përcaktimin e qeverive të reja në Bavari dhe Hesse, pasi partitë e tjera refuzuan të bashkëpunojnë me të.
Por sondazhet pas votimeve tregojnë se partia AfD mund të marrë një mbështetje mes 15% dhe 16% të votave në Bavari dhe 16% deri 17% në Hesse, duke shënuar rritje të mbështetjes që nga zgjedhjet e fundit në vitin 2018.
Sondazhet me zgjedhësit pas votimeve nxjerrin në pah një rënie të ndjeshme të mbështetjes për partitë në pushtet, Social Demokratët, Të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë.
Si të Gjelbërit ashtu edhe Social Demokratët e Kancelarit Scholz, zgjodhën Ministren e Brendshme, Nancy Faeser, që të kandidonte përballë guvernatorit konservator të shtetit Hesse, Boris Rhein. Por anketat tregojnë se pushteti 24 vjeçar i partisë CDU në këtë shtet mund të vazhdojë edhe për vite me radhë. Duket se AfD dhe partitë e pushtetit po garojnë për vendin e dytë.
Koalicioni qeveritar i zotit Scholz ka humbur mbështetjen e votuesve për çështje të tilla si energjia dhe migrimi.
Në Bavari, guvernatori Markus Soeder u ka bërë thirrje votuesve që të mbështesin “vazhdimësinë dhe stabilitetin”. Zoti Soeder konsiderohet gjerësisht si një kandidat i mundshëm për të sfiduar zotin Scholz në zgjedhjet e vitit 2025, megjithëse ai ka mohuar se ka ambicie të tilla./ VOA