Largimi i lorik Canës nga kombetarja shqiptare, pezullimi i Gjimshitit për ndeshjen e rradhës apo dhe forma jo e mirë e lojtarëve të tjerë ka bërë që De Biazi të kërkojë një tjetër emër për mbrojtjen. Kastriot Dermaku pritet të jetë përforcimi më i ri i Kombëtares shqiptare të futbollit për ndeshjet e marsit ndaj Italisë dhe Bosnjë Hercegovinës.
Dermaku është një nga lojtarët më të spikatur të këtij sezoni në Lega Pro në Itali. Futbollisti, kartoni i të cilit i përket Empolit, ka shkëlqyer me Lukezen duke u kthyer në një nga emrat më të lakuar në merkaton e janarit pasi oferta për të u bënë nga pjesa më e madhe e klubeve të Serisë B. Por në fund, Lukeze vendosi të mbante 25 vjeçarin me shpresën se mund ta ndihmojë këtë skuadër të luftojë për ngjitjen në Serinë B.
De Biazi e ka monitoruar prej kohësh lojtarin, ndërsa mediat italiane raportojnë se tani ai po mendon ta afrojë në Kombëtare në muajin mars. Në rastin në fjalë, trajnerit të përfaqësueses nuk i është dashur të shkojë të ndjekë vazhdimisht nga afër futbollistin siç ka bërë shpesh me kandidatë të tjerë, pasi ka informacine të detajuara për të. Lukeze drejtohet nga Xhiuzepe Galderizi, i cili është një mik i De Biazit dhe i ka shpjeguar teknikut të kuqezinjve në mënyrë të detajuar të gjitha cilësitë e qendërmbrojtësit. Futbollisti shtatlartë (1,95 m) ka luajtur 19 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol me fanellën e Lukezes në këtë sezon.