Ku po e presin Ramën Sokol Balla dhe katër analistë të tjerë (FOTO NË BRENDËSI)
Pas mbylljes së fjalës së tij në Vlorë Rama do të jetë në një studio të improvizuar të “Top Storyt” në Lungomare.
Sokol Balla ndodhet tashmë në qytetin bregdetar së bashku me analistët Mustafa Nano, Arjan Vasjari, Alfred Lela dhe Skënder Minxhozi, që nisi në orën 19.30 dhe do të vijojë deri në mesnatë, kur të fillojë zyrtarisht edhe heshtja zgjedhore.
Mustafa Nano shprehet se kjo fushatë ishte e paparë, me një korrektesë politike që duket se po starton një epokë të re, por që mund të jetë edhe produkt i marrëveshjes politike Rama-Basha, të cilën askush nuk e di përveçse këtyre dy njerëzve.
“Jam i lumtur që kaluam 30 ditë pothuajse të qeta, mirëpo nga ana tjetër fushata ka qenë sterile, duke mos pasur lëndë dhe material. Një fushatë që na ofroi një përplasje batutash, një fushatë anektodike. Njerëzit kanë nevojë të shohin përplasje autentike programesh dhe idesh, gjë që duket se ka munguar”, tha analisti Mustafa Nano.
Arjan Vasjari theksoi nga ana e tij se e veçanta e kësaj fushate është fakti që është tripolare, që ka shumë të ngjarë që të na prodhojë në vijim një realitet dypolar. “Po shkojmë drejt kësaj pas marrëveshjes Rama-Basha, që mbetet mister për ne, edhe pse kemi një informacion gjithsesi të pamjaftueshëm. Objektivi i saj duket të jetë që skenën politike ta shndërrojë në një skenë bipolare”, tha Vasjari.
Ndërsa elementi tjetër në raport me LSI-në ka të bëjë me fushatën e pazakontë të ish-kryetarit të saj: Meta, vërtet nuk është juridikisht President i Republikës, por etika kushtetuese nuk ia lejon atij as përfshirjen në fushatë, e jo më deklaratat e tij. Ai ka përdorur një leksik që i kalon kornizat e presidentit. Agresiviteti i Metës ka kaluar çdo parashikim, duke e bërë një fushatë elektorale me një personazh politik që kishte vepruar me sloganin e tij ‘me qetësi e dashuri’. Befas Meta ndjeu rrezikun që i kanoset partisë së tij dhe tregoi në realitet figurën reale që është. Duhet të jemi vigjilentë, pasi mënyra si është sjellë gjatë kësaj fushate, tregon se ai ka për të qenë një president jo mbi palët, por që do të sjellë probleme.
Për Alfred Lelën, çudia nuk ka qenë qetësia, por fakti që janë dy parti me pushtetin në duart e tyre, që i janë shmangur përgjegjësive për qeverisjen. Ndërsa e vetmja parti që bën fushatën mbi një program qeverisës është ajo Demokratike.
“Basha e ka përqëndruar fushatën tek ekonomia. Por deri më tani, ndoshta kjo është fushata e parë me vetëm një program, duke humbur kështu mundësinë që të shihnim përplasje programesh mes palëve. PD-ja e ka kthyer programin e saj si motorin kryesor të retorikës. Sa i përket diversionit, fërkimit apo përplasjes, kemi pasur përplasje edhe më të mëdha dhe unë i shoh si pjesë e komunikimit politik. Gjithsesi, pa thelb, pasi mungon thelbi”, tha Alfred Lela.
Për Skënder Minxhozin, Basha ka një mesazh unifikues në këtë fushatë, pasi marrëveshja Rama-Basha i ka mbijetuar fushatës, por pritet të shihet nëse do t’i mbijetojë edhe periudhës post-zgjedhore.
“Basha ka pastruar fjalorin e tij nga retorika e përdorur në çadër. Nuk e kemi dëgjuar më të flasë për drogën apo për çështje të tjera që përmendte gjatë protestës. Sot kemi një Lulzim Basha në qeveri, e jo më në çadër. Janë zgjedhje unike, pasi të 3 palët kryesore janë të përfshira në qeverisje. Ulja e nivelit të retorikës dhe debatit te batutat, vërtet e banalizon fushatën, por ul edhe nivelin e aktivitetit të fushatës. Kemi qytete të zhveshura nga fytyrat e kandidatëve. Basha ka pranuar një marrëveshje me Ramën për të bërë një fushatë të qetë, që i heq opozitës alibinë për të kontestuar zgjedhjet. Opozita nuk mund të thotë më nesër që mora kaq mandate, sepse më vodhën votat bandat apo dikush tjetër”, tha Minxhozi.
Për Mustafa Nanon, kjo fushatë tregoi atë që pritej të shihej nga të gjithë, që Lulzim Basha të ishte realisht kryetar i Partisë Demokratike. Dhe këtë e ka bërë deri më tani, ndërsa pas zgjedhjeve presim të shohim se çfarë ndikimi do të kenë zërat kundër brenda PD-së. Basha ka ende prova për të dhënë sesi Basha do ta menaxhojë situatën brenda partisë. Ai ka larguar një pjesë të mirë të disidentëve, nëse mund t’i quajmë kështu, por sot kemi parë se të paktën dy prej tyre, Majlinda Bregu dhe Eduard Selami janë të pranishëm në mitingun përmbyllës në Tiranë.
“Nëse Basha nuk del mirë në këto zgjedhje, PD rrezikon përplasjen fatale. Berisha nuk ka më atë fuqinë që ka pasur, ndërsa Lulzim Basha nuk ka ndikimin e duhur brenda partisë. E shoh si një zhvillim shumë negativ për të gjithë demokratët, pasi kushdo që kërkon të marrë kreun e partisë, mund të shpërthejë pas zgjedhjeve”, tha Nano, edhe pse Basha mund të justifikohet sipas tij me faktin që, edhe nëse humb zgjedhjet, të paktën do të hyjë në qeveri.
Discussion about this post